Egjipti sot ka dënuar miratimin izraelit për të ndërtuar 800 njësi të reja vendbanimi në Bregun Perëndimor të okupuar.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Jashtme egjiptiane, Kajro e konsideroi këtë hap “shkelje të re të vendimeve të legjitimitetit ndërkombëtar dhe minimin e shanseve për një zgjidhje me dy shtete”.

Në njoftimin thuhet se “Egjipti dënon miratimin nga qeveria izraelite të vendimit për krijimin e 800 njësive të reja të vendbanimeve në Bregun Perëndimor”.

Egjipti gjithashtu shprehu “shqetësimin e tij të madh në lidhje me pasojat e këtyre hapave të përsëritura në minimin e shanseve për një zgjidhje me dy shtete në një kohë kur palë të ndryshme ndërkombëtare po bëjnë përpjekje të pareshtura për të ringjallur rrugën e negociatave midis palestinezëve dhe izraelitëve”.

Të hënën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu miratoi ndërtimin e 800 njësive të reja të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të okupuar.

“Jemi të lumtur të njoftojmë sot se 800 apartamente të reja janë ndërtuar në Judea dhe Samaria”, shkroi Netanyahu në Twitter, duke përdorur emërtimet hebraike për Bregun Perëndimor.

“Ne jemi këtu për të qëndruar, që të vazhdojmë të ndërtojmë Tokën e Izraelit”, shtoi ai.

Vendimi i së hënës erdhi para inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden, që është paraparë të mbahet më 20 janar.

Presidenti në largim i SHBA-së, Donald Trump, ka mbështetur veprimtarinë e kolonive izraelite në Bregun Perëndimor, ndërsa Biden ka shprehur kundërshtim ndaj aktiviteteve gjatë fushatës së tij elektorale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re