Egjipti ka dërguar 27 tonë ilaçe në Liban, vendin që po lufton me epideminë e kolerës.

Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firas Abyad dhe ambasadori egjiptian në Bejrut, Yasir Allavi, pritën në aeroportin e Bejrutit avionin e ngarkesave që transportonte ilaçe nga Kajro në Bejrut.

Në konferencën e përbashkët për media në aeroport, Abyad tha se nga nesër ilaçet e marra do të shpërndahen në spitalet e vendit ku trajtohen pacientët me kolerë.

Ambasadori Allavi tha se normalisht ishte planifikuar të dërgohen 17 tonë barna, por kjo sasi është rritur në 27 tonë. Ai theksoi se në grant janë përfshirë edhe vaksinat kundër kolerës.

Megjithatë, kryeministri libanez, Najib Mikati, më 7 nëntor njoftoi se Egjipti kishte dhuruar 1.705 tonë ilaçe për Libanin.

Në Liban, e cila është në krizë ekonomike, 18 persona humbën jetën nga rastet e kolerës që nisën të shfaqen më 6 tetor dhe u përhapën në rajonet veriore dhe lindore.

Më 1 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se epidemia filloi të shfaqë efektin e saj në të gjitha qytetet e Libanit.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re