Egjipti, Palestina dhe Jordania do të mbajnë nesër samit trepalësh në Kajro për të diskutuar mbi procesin e paqes izraelito-palestineze.

Sipas artikullit të gazetës Asharq Al-Awsat të cilin e bazon mbi një politikan jordanez, thuhet se në samitin që planifikohet të mbahet nesër pritet të marrin pjesë presidenti egjiptian Adel-Fattah al-Sisi, mbreti jordanez Abdullah II dhe presidenti palestinez Mahmoud Abbas.

Në axhendën e samitit trepalësh përfshihet çështja e koordinimit përpara takimeve të zakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e cila pritet të fillojë këtë muaj dhe në të cilën është planifikuar që Abbas të mbajë një fjalim.

Edhe një burim egjiptian që ka konfirmuar takimin trepalësh në fjalë, ka thënë se synohet ndërtimi i një qëndrimi të përbashkët arab në çështjen e rifillimit të bisedimeve me SHBA-në lidhur me negociatat e paqes izraelito-palestineze.

Gjithashtu theksohet se takimi do të fokusohet në kontaktet që do të ndërtohen me SHBA-në pas vizitës që kreu i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA), William Burns zhvilloi rreth 2 javë më parë në Kajro, Ramallah dhe Tel Aviv.

Po i njëjti burim vuri në dukje se samiti në fjalë ishte planifikuar të mbahej katërpalësh me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, por që më pas u vendos që të mbahet një samit trepalësh arab në mënyrë që të përcaktohej një qëndrim i përbashkët para procesit të takimit me Washingtonin.

Kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh, dje në një deklaratë tha se mezi po pret samitin trepalësh Palestinë-Egjipt-Jordani, i cili është planifikuar të mbahet në Kajro, në mënyrë që t’i bëjë thirrje administratës së SHBA-së që të përmbushë premtimet për të mbrojtur zgjidhjen me dy shtete.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re