Egjipti ka deklaruar se kundërshton thirrjet e izraelitëve për të kryer bastisje ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe ka paralajmëruar se tensionet dhe dhuna reciproke mund të rriten.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Egjiptit thuhet se dënohen fuqimisht dhuna dhe operacionet në rritje ditët e fundit nga forcat izraelite në disa qytete dhe fshatra në territoret e Palestinës.

Në deklaratë tregohet reagim ndaj përdorimit të forcës së tepruar e cila rezulton me vdekjen, plagosjen dhe arrestimin e dhjetëra palestinezëve. Po ashtu theksohet se kundërshtohet çdo lloj provokimi gjatë muajit të Ramazanit, përfshirë edhe thirrjet për intensifikimin e sulmit kundër Xhamisë Al-Aksa.

“Është e nevojshme që këto zhvillime të shpejta dhe të rrezikshme të merren nën kontroll”, thuhet në deklaratën në të cilën paralajmërohet se kjo është lajmërues i tensioneve të mëtejshme dhe se do të forcojë mjedisin e tensioneve të cilat do të shkaktojë vetëm përshkallëzim dhe rritje reciproke të dhunës.

Disa komunitete të kolonëve hebreje ndanë postime në faqet e rrjeteve sociale duke thënë se po planifikojnë të presin kurbanet e tyre në Al-Aksa gjatë Festës Pesach dhe inkurajuan ndjekësit e tyre në këtë drejtim.

Kryeministria izraelite njoftoi se pretendimet që ceremonia e therjes së kurbaneve të hebrenjve të mbahet në Xhaminë Al-Aksa gjatë Festës Pesach, nuk pasqyrojnë të vërtetën.

Administrata palestineze dhe grupet palestineze përfshirë edhe Hamasin, kanë paralajmëruar se kolonët hebrenj nuk duhet të lejohen të therin kurbanet e tyre në Xhaminë Al-Aksa për Festën Pesach.

Festa Pesach e hebrenjve fillon më 15 prill dhe do të zgjasë një javë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re