Skip to content

Egjipti sekuestron pasuritë e 89 figurave të Vëllazërisë Myslimane

Një gjykatë egjiptiane ka vendosur sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të 89 anëtarëve të Vëllazërisë Myslimane, përfshirë presidentin e ndjerë egjiptian Mohamed Morsi.

E përditshmja shtetërore Akhbar al-Youm bëri të ditur se “Gjykata për Çështje Urgjente në Kajro urdhëroi sekuestrimin e pasurive të 89 udhëheqësve dhe anëtarëve të Vëllazërisë dhe trashëgimtarëve të Morsit dhe transferimin e tyre në thesar”. 

Vendimi përfshiu udhëzuesin suprem të grupit Mohamed Badie, zëvendësin e tij Khairat al-Shater dhe udhëheqës të tjerë, duke përfshirë Mohamed Beltagy, Abdel-Rahman al-Bar dhe Ahmed Diab, si dhe dy ministra gjatë qeverisjes së Morsit, ish-ministrin e Rinisë, Osama Yassin, dhe ish-ministrin e Furnizimit, Bassem Ouda. E përditshmja egjiptiane El-Youm El-Sabee tha se komisioni i formuar nga shteti i caktuar për të sekuestruar pasuritë e grupit e çoi çështjen përpara gjykatës.

Ai shtoi se brenda rastit, komisioni kërkoi nga ministri i Drejtësisë, kreu i Regjistrit të Tokës dhe shefi i Bankës Qendrore të transferonin pasuritë e sekuestruara në thesarin e shtetit.

Grupi ende nuk është prononcuar për vendimin i cili nuk është i qartë nëse është përfundimtar apo mund të apelohet.

Vëllazëria Myslimane u formua në vitin 1928 dhe pas grushtit të shtetit ushtarak në Egjipt në korrik të vitit 2013 grupi u shpall i jashtëligjshëm dhe shumica e udhëheqësve të tij u arrestuan, përfshirë presidentin e parë të zgjedhur egjiptian Morsi.