Ekipi juridik i Presidentit Trump filloi mbrojtjen e tij të shtunën në një gjykim për shkarkimin e tij në Senat, duke argumentuar se përpjekjet e demokratëve për ta hequr atë do të vendosnin një “precedent shumë të rrezikshëm” në një vit zgjedhor dhe theksuan se “presidenti absolutisht nuk bëri asgjë të keqe” .

Këshilltari juridik i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, i cili kryeson ekipin ligjor të Trump, u tha senatorëve që në fillim të argumenteve të tij të mbrojtjes se me këtë mënyrë po u mohohet votuesve e drejta për të zgjedhur Trumpin në Presidencialet e 3 nëntorit, nëse ai tani do të shpallej fajtor dhe do të zëvendësohej.

“Ata ju kërkojnë të mos bëni diçka që do të sjellë pasoja të mëdha dhe që, do të thoja, shumë, shumë e rrezikshme”, tha Cipollone.

Sipas Zërit të Amerikës, ai akuzoi gjithashtu demokratët se dëshironin të kryenin “ndërhyrjen më masive në zgjedhje” në historinë amerikane, më pak se dhjetë muaj para tyre, duke thënë se kjo nuk duhet të lejohet sepse do të ishte “shkelje e Kushtetutës dhe e historisë”.

Demokratët argumentuan në ditët e mëparshme se presidenti abuzoi me pozicionin e tij dhe duhet të hiqej nga detyra sepse ai bëri presion ndaj Ukrainës për të hetuar ish Zv/Presidentin Joe Biden, kandidatin kryesor për nominimin presidencial nga radhët e demokratëve.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re