Skip to content

Ekonomisti Shano: Vdekshmëria nga COVID, më e ulët se nga sëmundjet e tjera

Ekonomisti Dritan Shano është kritikues për masat që marrin qeveritë kundër koronavirusit. Për “Quo Vadis”, Shano deklaroi se këto masa nuk merret për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, por për të ndryshuar sjelljen e tyre.

 

“Unë vazhdoj t’i qëndroj idesë time që vdekshmëria nga Covid-19 nuk i justifikon masat drakoniane të marra nga qeveritë, sidomos atyre perëndimore me idenë për ta ndaluar virusin. Shifrat e vdekjeve nga Covid që jepen deri më sot janë brenda parametrave të një gripi sezonal, influencës që njihet. Po të duam janë dhe brenda parametrave të vdekjeve në nivel global nga hepatiti viral, të dy viruse, por flitet për 800 e sa mijë vdekje në vit nga hepatiti viral. Flitet për 750 mijë vdekje në vit nga influenca, edhe Covid 19 pak a shumë vërtitet rreth këtyre parametrave, dhe me një vdekshmëri 0,2-0,3 % që ka arritur sot. Nuk justifikon kurrsesi këtë sjellje, frikë të madhe të induktuar tek njerëzit mbi ndalimin e ekonomisë, jetës sociale, të cilat unë i klasifikoj si masa që s’kanë lidhje me shëndetësinë por janë masa që tentojnë në mënyrë të përsëritur këmbëngulëse të ndryshojnë qasjen e njeriut ndaj jetës, ndaj njëri-tjetrit, ndaj shoqërisë, pozitave ekonomike dhe forcave ekonomike në botë.”

 

Sipas tij, vdekshmëria në Shqipëri nga koronavirusi është më e ulët se vdekshmëria nga sëmundje të tjera.

 

“Unë mendoj që shifrat e Covid, vdekshmëria nga Covid në Shqipëri është në rend shumë inferior, sidomos nga ato vdekje që vijnë nga sëmundjet kardiovaskulare, nga kanceri e me radhë, është realisht shumë larg. Ndoshta 1/10 e këtyre vdekjeve. Shifrat tona duhet t’i marrim me shumë rezervë, sepse gjithmonë e kemi vuajtur këtë për llogaritë kombëtare tonat, në disa vende kanë një ecuri të mirë, por në disa vende jo dhe aq. Në rastin konkret patjetër që kemi një vdekshmëri shumë më të lartë për të gjitha sëmundjet e Mesdheut, ku Covid 19 nuk është njëra nga ato.”

 

Dritan Shano nënvizoi se COVID-19 është një sëmundje që e lufton vetë sistemi imunitar, duke respektuar disa rregulla bazë.