David Nabarro, i Dërguari Special i Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH për COVID 19, në një intervistë për emisionin “7pa5” në “Vizion Plus”, i ka dërguar një mesazh të qartë të gjithë qeverive në botë, duke kundërshtuar më forcë mbylljen.

 

“Mbyllja mund të bëhet vetëm kur gjërat janë shumë shumë keq si një masë e përkohshme. Mbyllja ka sjellë varfërimin e njerëzve më të varfër. Kemi të dhëna nga e gjithë bota për një rritje masive të varfërisë dhe kjo është arsyeja pse themi që mbyllja mund të bëhet vetëm kur nuk ka asnjë opsion tjetër, për një kohë të shkurtër dhe kur të jeni në mbyllje, vini në zbatim masat për të ndërprerë transmetimin dhe ti jap fund përhapjes. Pra, zbulimi i rasteve, izolimi, gjurmimi i kontakteve dhe izolimi i tyre.”

 

Por çështja më e diskutuar në të gjithë botën, është mbajtja e maskës. Dhe për këtë doktor Nabarro rendit se jo vetëm maska, por dhe larja e duarve, mbajtja e distancës, shmangia e kontakteve, janë të domosdoshme për të ndaluar transmetueshmërinë e virusit.

 

“Nëse ne të gjithë bëjmë këto 5 gjëra, gjatë gjithë kohës ne do të reduktojmë ndjeshëm rrezikun e infektimit. Unë besoj që njerëzit duhet të mbajnë maskë kudo që janë, si brenda, por gjithashtu është e dobishme të mbahet maska edhe jashtë, nëse do duhet të jeni afër njerëzve të tjerë. Dhe unë do të mbështes çdo qeveri që do të rrisë përdorimin e maskave dhe besoj që është një pjesë thelbësore për ta mbajtur këtë virus nën kontroll.”

Duket se shkaktare për debatin mbi mbajtjen e maskave ose jo, është dhe vetë OBSH e cila ka qenë kontradiktore me deklaratat e saj, por doktor David Nabarro shpjegon pse këto vendime kanë qenë kontradiktore.

 

“Ju lutem mos u surprizoni nëse ne vijojmë të ndryshojmë udhëzimet, por gjithnjë do ta shpjegojmë pse po e bëjmë. Ky është realiteti me këtë virus të ri. Ja disa shembuj: ne nuk e dimë ende nëse dikush që e ka kaluar COVID ka imunitet të fortë kundër riinfektimit; nuk e dimë ndikimin e virusit tek fëmijët, nuk e dimë sa njerëz që u infektuan me COVID dhe mbijetuan kanë dëmtime të parikuperueshme, janë gjëra për të cilat ne po bëjmë kërkime dhe nuk i dimë sepse ky është një virus i ri. Do të jemi gjithnjë të ndershëm me njerëzit për atë që dimë, nuk ka asnjë motivim tjetër për punën tonë.”

 

David Nabarro është shprehur disi i shqetësuar për rritje të numrit të rasteve, por edhe të vdekjeve në Shqipëri. Por ai është shprehur i bindur se me masat e marra do të parandalohet një rritje e madhe e shifrave.