Burime nga Kuvendi bëjnë me dije për BalkanWeb se relatorët e PS dhe PD kanë arritur të përmbyllin draftin e përbashkët të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit. Pikat kryesore ku u tërhoq PS dhe çfarë u pranua nga PD, në draftin final që do të miratohet nesër në orën 09:00 në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren.

Ndërkohë, në draft bie në sy një element interesant. Numri i komisioneve të përhershme parlamentare do të jetë sërish 11, edhe pse rritja e tyre nga 8 që ishin në legjislaturën e kaluar, u dërgua në Kushtetuese nga opozita, në shtator të vitit të kaluar.

Mirëpo, me dakordësinë e shprehur tanimë për rregulloren e re të Parlamentit, duket se PD është tërhequr nga pretendimet e mëparshme të saj dhe komisionet parlamentare do të jenë po ato që fillimisht i kontestoi dhe Gjykata Kushtetuese realisht i dha të drejtë.

1. Pikat ku u tërhoq PS

a) PS u tërhoq nga propozimi që çdo projektligj i kërkuar nga BE të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.

b) PS u tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare.

c) PS u tërhoq nga propozimi që institucionet kushtetuese të mos raportonin në seancë plenare, duke pranuar qëndrimin e PD-së se raportimi në Kuvend duhet të bëhet nga çdo institucion që ka detyrim kushtetues për raportim.

d) PS u tërhoq edhe nga propozimi që të gjitha institucionet të raportonin vetëm në Komisionin Xhafaj, duke pranuar qendrimin e PD, që raportimet vjetore të bëhen në komisionet përgjegjëse sipas fushës.

2. Pikat që u pranuan nga PD:

a) U pranua propozimi i PD-së që forcon kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion. Sipas ndryshimit të pranuar:
– Kryetari i Kuvendit detyrohet t’i kërkojë institucionit përgjigje brenda 5 ditëve nga kalimi i afatit;
– në rast mosreagimi, i kërkohet titullarit të institucionit marrja e masave disiplinore deri në shkarkim.

b) U pranua propozimi i PD-së që kryetarët e komisioneve, kur kërkohet nga pakica parlamentare, të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje komisioni ose seanca dëgjimore me titullarë institucionesh brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës.

c) U pranua propozimi i PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse.

d) U pranua propozimi që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Masat disiplinore nuk do llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike. Sekretariati i Etikës me numër të barabartë anëtarësh.

11 komisionet e përhershme parlamentare

Neni 4
Në nenin 19 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshon si më poshtë:
“1. Kuvendi miraton në seancë plenare ngritjen e 11 komisioneve të përhershme, me emërtesat
dhe fushat e përgjegjësisë si më poshtë:

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat
(Çështjet e politikave ekonomike në përqasjen ndaj tregut të përbashkët europian, Buxhetin e
Shtetit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij, marrëdhëniet e punësimit, lirisë së lëvizjes së punëtorëve,
financat publike, privatizimet dhe sistemin bankar.)

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
(Kodet dhe ligjet, duke garantuar përputhshmërinë dhe zbatueshmërinë e tyre me standardin
europian, organizimin e pushtetit gjyqësor dhe raportimin e tij, administratën e pushtetit gjyqësor,
administratën publike, institucionet e pavarura në sistemin e drejtësisë.)

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes
(Çështjet e brendshme, të rendit, organizimin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare e publike,
organizimin e forcave të armatosura dhe bashkëpunimin ushtarak, çështjet e organizimit dhe
funksionimit të pushtetit vendor, emergjencat civile dhe mbrojtjen nga fatkeqësitë, shërbimet
sekrete.)

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet
(Çështjet në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikat e zhvillimit të sportit.)

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
(Çështjet lidhur me politikat shëndetësore, sigurimet shoqërore, familjen, gruan dhe çështjet
për mirëqenien sociale.)

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm
(Çështjet në fushën e energjisë, burimeve natyrore dhe biodiversitetit, infrastrukturën,
industrinë dhe telekomunikacionin, rregullimin e territorit, tregtinë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe
çështjet për zhvillimin e qëndrueshëm.)

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
(Çështjet në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, çështjet lidhur me veprimtarinë
e mediave audiovizive dhe informimit, dhe çështjet për garantimin e lirisë së shprehjes.)

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
(Çështjet e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, çështjet e zhvillimit rural, çështjet e kontrollit
dhe garantimit të sigurisë ushqimore, monitorimin e zbatimit të politikave në fushën e bujqësisë
dhe të sigurisë ushqimore.)

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën
(Çështjet e kulturës kombëtare dhe trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit të
qëndrueshëm, politikat për ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhësor të diasporës dhe të pjesëmarrjes
së saj në proceset politike dhe sociale në vend.)

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme
(Çështjet e integrimit europian, përafrimi i legjislacionit me legjislacionin e Bashkimit
Europian, mbikëqyrja e zbatimit të angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e StabilizimAsociimit, mbikëqyrja e asistencës financiare të Bashkimit Europian për Shqipërinë, monitorimi i
negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, politikat e jashtme, marrëdhëniet dhe
bashkëpunimi ndërkombëtar, si dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.)

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale
(Monitorimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të strategjive, rezolutave, vendimeve dhe planeve të
veprimit të Kuvendit; shqyrtimi dhe ndjekja e nismave të qytetarëve dhe peticioneve; realizimi dhe
koordinimi, mbikëqyrja dhe kontrolli i zbatimit të ligjeve nga ekzekutivi, institucionet dhe agjencitë
e pavarura prej tij, përmes koordinimit të procesit parlamentar për kontrollin post-legjislativ
(PLS); koordinimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.)”

2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Kudo në Rregulloren e Kuvendit, emërtesat e komisioneve të përhershme zëvendësohen
sipas emërtesës së komisioneve të përhershme në nenin 19, pika 1, të këtij vendimi.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re