Ndërkohë që jemi në një periudhë merkatoje, ajo  dimërore dhe ekipet janë duke synuar afrimin e lojtarëve, të cilët do ti përdorin për pjesën e dytë të sezonit. Por ndërkohë tek Tomori mund të ndodh një hap më i madh merkatoje.

Në fillimin e vitit të kaluar Bashkia Berat, si aksionerja e vetme e FK Tomorit shpalli larjen 100% të borxheve që klubi kishte akumuluar dhe tashmë ky borxh ishte zero. Nga aty nisi edhe procedura e nxjerrjes së klubit në shitje që ende nuk është mbyllur. Në momentin e parë ishte një nxitje e tifozëve beratas që nëpërmjet një letre të hapur i bënë një kërkesë Pëllumb Salillarit, një prej bizsnesmenëve më të fuqishëm shqiptar, i cili është nga Berati por kjo çështje mbeti vetëm në një interesim fillestar të tyre dhe pse mund të priten sërish zhvillime.

Por tashmë mësohet se një tjetër kompani ka shfaqur interes për blerjen e aksioneve të FK Tomorit. Bëhet fjalë për një kompani ndërkombëtare ekonomike me disa fusha veprimi, Mela Holding Group, presidenti i së cilës është me origjinë shqiptare. Qendra e kësaj kompanie gjendet në Venecia të Italisë por me shtrirje në të gjithë botën.

Ndërlidhësi është një qytetar beratas me banim në Itali, Thoma Jançe, i cili është pjesë e këtij grupi dhe ka bërë disa kontakte jo formale me drejtuesit beratas. Sipas asaj që vet Jançe konfirmon Bashkisë i është bërë edhe një kërkesë zyrtare për blerjen e askioneve nga ky grup dhe tashmë pritet vetëm mbyllja e procedurës së shitjeve të aksioneve nga Bashkia Berat dhe ky grup i fuqishëm ekonomik është i gatshëm të përfshihet me një projekt serioz për ngritjen e Tomorit në majën e futbollit shqiptar. Ata janë të gatshëm të blejnë 76% të aksioneve që është edhe maksimumi që lejon ligji aktual I privatizimeve të klubeve sportive në Shqipëri./Berati.TV

Kerkesa zyrtare drejtuar Bashkise Berat
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re