Gjithë jetën e tij politike, Sali Berisha e ka ngritur mbi kauzën e antikomunistit. Madje i ka ngritur vetes edhe mitin se është ai që e rrëzoi komunizmin dhe solli demokracinë në Shqipëri.

E ka ushqyer aq shumë këtë mit, sa e besojnë jo vetëm ndjekësit e tij fanatikë, por edhe vetë Sali Berisha, pavarësisht se ka qenë sekretar partie.

Por gazeta TemA boton sot ekskluzivisht një foto të Sali Berishës me Enver Hoxhën, që e rrëzon komplet këtë mit fallco, të ngritur me aq shumë mund nga Berisha ndër vite.

Ai ka qenë i ftuar në shtëpinë e diktatorit, nga nusja e Enver Hoxhës, Liliana Hoxha, me të cilën kishte miqësi personale.

Gjatë këtij takimi, Enver Hoxha e ka përgëzuar personalisht Sali Berishën, për ndihmën që i ka dhënë Lilianës si anëtar i Bordit të revistës “Shkenca dhe Jeta”.

Mendohet se ka qenë pikërisht ky takim, të cilit Nexhmije Hoxha i referohet për deklaratën e saj të famshme, se pas takimit me Enver Hoxhën, Sali Berisha nuk lau për dy javë rresht dorën, që mos t’i ikte era e Enverit.

Por pavarësisht kësaj, duhet thënë se Sali Berisha dyshohej si agjent serb, për shkak të gruas së tij serbe, ndaj dhe afria e Enverit dhe Nexhmijes me të ishte e kufizuar dhe përpiqeshin ta mbanin larg.

Megjithatë, Berisha kishte miqësi me Liliana Hoxhën dhe fëmijët e Enverit dhe kjo mjaftonte që ai t’i afrohej herë pas here diktatorit dhe të kishte njëfarë rëndësie në Bllok, pasi jo të gjithë ftoheshin në takimet private të familjes Hoxha.

Miqësia e Berishës me fëmijët e Enverit u vërtetua pas publikimit të fotove të tij duke pushuar me fëmijët e Enver Hoxhës në Pogradec.

Fotot me fëmijët e diktatorit në varkë dhe pranë oxhakut të zjarrit, të cilat u publikuan disa vite më parë nga emisioni Fiks Fare, bënë bujë, pasi për herë të parë tregohej se Berisha në fakt, nuk ishte ai antikomunisti i flaktë që shfaqej podiumeve politike, por një njeri që do të bënte gjithçka për të qenë afër udhëheqjes komuniste, qoftë dhe duke përdorur miqësitë me fëmijët e tyre.

Vetë Berisha nuk ka folur për këto foto.

Ai veç ka mohuar të ketëë pasur lidhje me Enver Hoxhën apo ta ketë takuar ndonjëherë në jetën e vet, ndërsa është pyetur disa herë për marrëdhëniet që ka pasur me diktatorin.

Berisha ka thënë se mund të jetë përballur me Enverin në korridor, por kurrë nuk ka pasur kontakt direkt.

Tani, pas publikimit të kësaj foto, në të cilën ai jo vetëm shfaqet në një takim privat në shtëpinë e Enver Hoxhës, por ndryshe nga të tjerët, tek Berisha duket qartë buzëqeshja e stampuar në fytyrë dhe shikimi plot admirim dhe servilizëm ndaj Enverit, me siguri që do të thotë se është montazh.

Ose do ta kalojë pa koment, por të paktën kur i del ndonjë militant me foton e Enverit, si në rastin e Tropojës, mirë është të mos e largojë nga takimi, se më këtë standart vetë s’do të duhej të dilte fare nga shtëpia.

Se ndryshe nga këta adhuruesit e Enverit, si fjala vjen ai deputeti socialist, që s’e kanë pas njohur kurrë nga afër diktatorin, Berisha ka qenë mik familje i tij.

“Fat” të cilin se ka pasur asnjë prej këtyre socialistëve që sot janë në pushtet dhe që akuzohen nga Sali Berisha si pjellë e nomeklaturës komuniste, që ai do i rrëzojë siç bëri me etërit e tyre.

Në fakt, i vetmi komunist i mbetur gjallë në politikën shqiptare, sot është pikërisht ai, Sali Berisha. Tani edhe me prova të pakundërshtueshme!

(Fiks Fare ndërkohë po transmeton një material më të gjerë tani për takimin e Berishës me diktatorin Hoxha)


Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re