Procesi i Vettingut kap “peshqit” e parë në kupolën e Policisë së
Shtetit. Sipas dokumentave që disponojnë ekskluzivisht “Shqiptarja.com”
dhe “Report TV” tre oficerë të madhorë të policisë rezultojnë si
bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Autoriteti për Informim mbi
Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka gjetur me dosje tre oficerë të
lartë që janë në poste drejtuese në Policinë e Shtetit.

Procesi i vetingut në radhët e Policisë së Shtetit ka pak kohë që ka
filluar ku fillimisht po kontrollohen drejtuesit më të lartë. Në këtë
proces ata vlerësohen për 3 komponentët, atë të pasurisë, pastërtisë së
figurës dhe aspektin professional. Pikërisht tek komponenti i pastërtisë
së figurës një nga pikat kryesore është kontrolli i së kaluarës së
oficerëve të policisë në lidhje me ish-regjimin komunist dhe më
hollësisht me ish-Sigurimin e Shtetit. Sipas dokumenteve që disponojnë
“Shqiptarja.com” dhe “Report TV” Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e
ish-Sigurimit të Shtetit ka përfunduar kontrollin për 55 oficerë që
mbajnë poste drejtuese në Policinë e Shtetit nga të cilët kanë rezultuar
me problem tre prej tyre. Oficerët G.Z., B.SH. dhe A.SH. kanë rezultuar
si bashkëpunëtorë me ish-Sigurimin e Shtetit. “Nga verifikime e kryera
deri më tani figuron të ketë material në dokumentet e ish-Sigurimit të
Shtetit në emër të tij”, kjo ka qenë përgjigjia e njëjtë që është dhënë
për këta tre oficerë të lartë nga ana e AIDSSH. Ndërsa për gjithë
oficerët e tjerë AIDSSH është përgjigjur se: “Nuk figuron të ketë
material në emër të tyre”.

Pas këtij konstatimi këta tre oficerë rrezikojnë përjashtimin nga
radhët e policisë pasi në kriterin e pastërtisë së figurës dy janë pikat
kryesore që ndikojnë në vlerësim negative ajo e lidhjeve me botën e
krimit si dhe lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit para viteve 1990.

Duhet theksuar se këta janë vetëm 55 oficerët e parë në poste
drejtuese që janë marrë në shqyrtim nga Autoriteti për Informim mbi
Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, pasi priten në vazhdim të
kontrollohen edhe shumë të tjerë, rreth 300 është numri I tyre.

Kujtojmë se vetingu në radhët e uniformave blu, i cili pritet të
filtrojë rreth 13 mijë punonjës, ka filluar me dosjet e para të
drejtuesve më të lartë.

Ndërkaq, ende nuk ka një datë konkrete se kur pritet të përfundojë vettingu në radhët e policisë, përveç limit deri në qershorin e 2020 kur pritet të kenë përfunduar të gjitha shqyrtimet për dosjet e drejtuesve më të lartë. Ata që nuk do të kalojnë dot filtrat, shkarkohen për të mos u kthyer më në polici./Arsen Rusta/shqiptarja.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re