Sipas një eksperti të Kombeve të Bashkuara (OKB), kryerja e armiqësive në Gaza duke qenë në dijeni për shkatërrimin sistematik të banesave dhe infrastrukturës civile është “krim lufte”.

Raportuesi i posaçëm i OKB-së për të drejtën për strehim të përshtatshëm, Balakrishnan Rajagopal, në një deklaratë me shkrim tha se “bota duhet të veprojë tani për t’i dhënë fund sulmeve të tmerrshme dhe masive kundër banesave dhe infrastrukturës civile në Gaza, e cila vjen me një kosto të jashtëzakonshme për jetën njerëzore”.

“Kryerja e armiqësive duke qenë në dijeni se ato do të shkatërrojnë dhe dëmtojnë sistematikisht banesat dhe infrastrukturën civile, duke e bërë të pabanueshëm për civilët një qytet të tërë, siç është qyteti i Gazës, është një krim lufte”, tha Rajagopal.

Duke theksuar se bombardimet e banesave, objekteve dhe infrastrukturës civile janë rreptësishtë të ndaluara nga ligjet ndërkombëtare, Rajagopal tha se aktet e tilla përbëjnë “krime lufte” dhe kur drejtohen kundër një popullsie civile ato gjithashtu përbëjnë “krime kundër njerëzimit”.

Duke përdorur termin “domicid” (shkatërrimi i shtëpisë në kohë lufte) për sulmet e tilla sistematike apo të zgjeruara ndaj banesave dhe infrastrukturës civile, eksperti i OKB-së theksoi se ndërtesat e banimit, spitalet, ambulancat, kampet e refugjatëve, shkollat, kishat apo xhamitë, si dhe infrastruktura e ujit apo energjisë elektrike “nuk janë objekte ushtarake”.

“Edhe kur banesat e civilëve mund të përdoren nga luftëtarët për t’u strehuar, siç pretendohet në sulmet në kampin e refugjatëve Jabalia, sulmet në blloqe të tëra banesash janë të ndaluara nëse ato do të çojnë në dëmtime jo-proporcionale, vdekje dhe zhvendosje të një numri të madh të civilëve”, tha ai.

Siç theksoi ai, “asnjë e drejtë e pohuar e vetëmbrojtjes sipas ligjit ndërkombëtar nuk mund të mbulojë sulme të tilla”.

“Ky është veçanërisht rasti kur e drejta e vetëmbrojtjes pretendohet në kontekstin e një pushtimi”, shtoi ai.

Më tej, Rajagopal tha se banesat civile në Izrael gjithashtu “nuk janë objekt ushtarak”, duke shtuar se “nisja e sulmeve me raketa pa dallim ndaj tyre nga Gaza apo gjetkë është një krim lufte”.

Lidhur me urdhrin e evakuimit nga veriu në jug të Gazës, raportuesi i OKB-së tha se, “Urdhri për evakuimin e më shumë se 1 milion njerëzve nga Gaza veriore në Gazën jugore, duke e ditur se do të jetë e pamundur të sigurohet strehimi i duhur dhe ndihma humanitare, duke e mbajtur bllokadën, duke shkurtuar ujin, ushqimin, karburantin dhe ilaçet, si dhe me sulmet e vazhdueshme të rrugëve të evakuimit dhe ‘zonave të sigurta’ është një shkelje mizore dhe flagrante e ligjit ndërkombëtar humanitar”.

“Këto veprime të Izraelit përbëjnë krime ndërkombëtare”, theksoi ai, duke kërkuar që të ndiqet thirrja për armëpushim në rezolutën e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Të paktën 10.328 palestinezë, përfshirë 4.237 fëmijë dhe 2.719 gra, janë vrarë në sulmet ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është gati 1.600.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive të popullatës palestineze, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re