Eksperti i politikës së jashtme Adrian Shtuni ka folur për tensionet në Veri të Kosovës dhe dialogun e saj me Serbinë.

Në një intervistë për Panorama TV, Shtuni deklaroi se Shqipëria duhet të luajë një rol kyç. Ai komentoi edhe anulimin e mbledhjes mes dy qeverive duke e cilësuar si një tregues se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk po shkojnë në drejtimin e duhur.

“Shqipëria ka një rol jashtëzakonisht kyç për të luajtur. Situata aktuale dhe injorimi i ndërsjellë dhe pezullimi apo ndërprerja e mbledhjeve mes qeverive tregojnë se ka diçka që nuk po shkon në drejtimin e duhur në marrëdhënien Shqipëri Kosovë. Kjo është shqetësuese përtej këtij rasti. Mendoj se ka një qasje që nuk është sinqerisht nga të dyja palët.

Është çështje karakteri mes dy liderëve dhe qasja e ndryshe për arsye ideologjike ndaj problemeve në aspektin strategjik. Kurti është më parimor në mënyrën si i shikon gjërat. Mendoj se në parim çdo ndihmesë që mund të jetë për të arritur normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve duhet të jetë e mirëpritur. Por nuk besoj se mund të arrihet me korrespondencë apo nga distanca”, tha ai.

Shtuni bëri thirrje për një koordinim të afërt mes Shqipërisë dhe Kosovës, jo vetëm më aspektin formal por edhe në takime larg syrit të kamerave.

“Duhet të ketë koordinim të afërt mes Shqipërisë dhe Kosovës por jo vetëm duke bërë fjalime. Duhet të ketë koordinim që nuk ka nevojë të ndodhë në televizion apo në median sociale. Takimet nuk ka nevojë të jenë nën prozhektorët e kamerave dhe mediave sepse ajo fillon dhe bëhet në mënyrë deklarative. Kjo duhet të tejkalohet për interesa kombëtare që duhet të kenë prioritet ndaj interesave personale. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës është jetike për të dy vendet.

Konsultimet duhet të jenë në nivelin e bashkëpunimit të ngushtë. Kjo duhet të jetë qasja dhe mënyra e të menduarit”, deklaroi ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re