Vendet e Ballkanit kanë një përqindje shumë më të lartë të vdekshmërisë nga sëmundjet që kanë lidhje me kancerin se sa vendet e Evropës Perëndimore.

Bashkim Ziberi, profesori i fizikës mjekësore në Universitetin e Tetovës dhe aktivist i shëndetit botëror, thotë në një interviste me Zërin e Amerikës se pavarësisht se numri i të prekurve me kancer në Ballkan është më i ulët se sa në BE, shkalla e vdekshmërisë në Ballkan është 60 % ndërsa në vendet e bllokut evropian është 35 %. Gjatë bisedës me kolegun Artan Haraqija, profesor Ziberi i cili ka qenë pjesëmarrës i programit Fulbright në Institutin për Kancerin ‘Dana Farber’ të Universitetit të Harvardit, sqaron arsyet pse ekziston ky dallim i madh. Ai ndodhet këto ditë në Uashington si bashkëorganizator i takimit për shëndetin botëror që ka për qëllim të zbusë pabarazinë në zbulimin e hershëm dhe trajtimin e pacientëve me kancer në vendet me të ardhura të ulëta në raport me vendet e zhvilluara.

Zëri i Amerikës: Ju jeni një nga bashkorganizatorët e takimit për shëndetin Global në Uashington. Mund të na flisni pak për këtë takim?

Bashkim Ziberi: Që në vitin 2018, kur isha me Fullbright në Fakultetin e Mjekësisë të Harvardit filluam të bashkëpunojmë në lidhje me shëndetin botëror. Përveç takimit vjetor që organizohet në Shtetet e Bashkuara ka dhe takime të tjera që organizohen në vende të ndryshme të botës. Ideja e këtyre takimeve është për të mbledhur aktorë të ndryshëm të fushave të ndryshme për të diskutuar, bashkëpunuar dhe rritur bashkëveprimin në luftën ndaj sëmundjeve kancerogjene. Kjo bëhet veçanërisht për të ulur pabarazinë në cilësinë e trajtimit të këtyre sëmundjeve në vendet e zhvilluara në raport me vendet në zhvillim ose siç iu themi ne, vendet me të ardhura të ulëta apo mesatare.

Zëri i Amerikës: Vendet e rajonit përfshihen tek vendet e pazhvilluara? Ju pyes sepse dihet që pacientët që vuajnë nga kanceri në rajon kryesisht nuk gjejnë shërim në Ballkan.

Bashkim Ziberi: E dimë të gjithë që sëmundjet që kanë lidhje me kancerin janë faktori numër një i vdekjeve në botë. Në vendet e zhvilluara dhe në vendet në zhvillim është faktori i parë apo i dyti. Vendet tona hyjnë në listën e vendeve në zhvillim. Ka publikime të ndryshme shkencore që nga njëra anë tregojnë se numri i rasteve me kancer në vendet tona është më i ulët se sa në vendet e Bashkimit Evropian apo vendet e Evropës perëndimore, por nga ana tjetër vdekshmëria është shumë më e lartë. Nëse mbështetemi në këto të dhëna shkencore, vdekshmëria në vendet e Ballkanit është rreth 60 përqind, ndërsa në vendet e Evropës perëndimore kjo shifër është 34 apo 35 %.

Zëri i Amerikës: Cilat janë shkaqet kryesore për këtë?

Bashkim Ziberi: Shkaqet kryesore janë në cilësinë e trajtimit të pacientëve. Duke filluar nga zbulimi i hershëm që është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm, më pas janë kontrollet e rregullta, mundësitë që u jepen njerëzve tek ne për të bërë analiza të rregullta dhe deri tek cilësia e shërbimit që u ofrohet pacientëve pasi diagnostikohen. Të gjithë këta elementë së bashku e përbëjnë atë ciklin që për fat të keq tek ne nuk funksionon ashtu siç duhet dhe kjo reflektohet edhe me numrin e lartë të vdekshmërive në raport me vendet e zhvilluara.

Zëri i Amerikës: Ju keni përvojë në kërkimet shkencore që kanë të bëjnë me trajtimin e sëmundjeve që kanë lidhje me kancerin me anë të nanogrimcave. Mund të flisni pak për këtë teknikë dhe të njejtën kohë a po shfrytëzohet kjo teknikë në ndonjë prej klinikave në Maqedoninë e Veriut, apo në rajon?

Bashkim Ziberi: Jo, në vendet e Ballkanit as që mendohet të zhvillohet ndonjë teknikë e tillë. Metodat dhe teknikat standarde që ekzistojnë janë ato që përdoren për diagnostikimin dhe trajtimin dhe që shrytëzohen atëherë kur kanceri është zhvilluar. Kur është fjala për nano-teknologjinë dhe nano-grimcat, ato mund të përdoren në të dyja rastet: për diganostikim dhe trajtim. Për këtë metodë, që të zbulosh sëmundjet kancerogjene, të duhet vetëm një grumbull i vogël qelizash kancerogjene. Pjesa e nano-teknologjisë dhe nano-grimcave ka marrë hov të madh në fusha të ndryshme, në grupe të ndryshme shkencore për trajtimin e sëmundjeve kancerogjene. Një pjesë e mirë e tyre janë akoma në fazën e studimeve para-klinike dhe klinike. Për shembull, për atë pjesën me të cilën jemi marrë në Fakultetin e Mjekësisë në Harvard, në Institutin e Kancerit Dana-Farber, kolegët vazhdojnë ta ndjekin këtë çështje dhe momentalisht janë në fazën e krijimit të studimit klinik me 25 pacientë.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët se shkalla e vdekshmërisë në vendet e rajonit është shumë më e lartë se sa në vendet e BE-së, por e dini se cili është lloji i kancerit që prek më së shumti banorët e Ballkanit?

Bashkim Ziberi: Në vendet tona kanceri numër një është ai i mushkërive dhe në pjesën më të madhe ka të bëjë me konsumimin e lartë të duhanit. Lloji tjetër është kanceri i gjirit tek gratë, pastaj kanceri i zorrës së trashë, e kështu me radhë. Duhet përmendur se një pjesë e këtyre llojeve të kancereve kanë mundësi të mira shërimi nëse mund të zbulohen me kohë. Ka edhe lloje të tjera të kancereve që janë më vdekjeprurës dhe që janë në përqindje më të vogël tek pacientët, por që vdekshmëria është mbi 95 % siç është kanceri i pankreasit.

Zëri i Amerikës: Sa mendoni se janë në gjendje autoritetet shëndetësore në vendin tuaj t’i përgjigjen sfidave rreth sëmundjes? Thatë që shumica e rasteve ka të bëjë me zbulimin e vonshëm të kancerit; pse ndodhë kjo? Nuk ka vetëdijësim tek popullata apo ka diçka që mund të bëjnë autoritetet shëndetësore?

Bashkim Ziberi: Janë të dyja nga pak. Popullata ka paragjykime për pacientët që kanë sëmundje nga kanceri. Sensibilizimi i popullatës duhet të fillojë që herët. Për shembull, një pjesë e fëmijëve tek ne, si vajzat në klasat e teta apo nënta nuk e marrin vaksinën HPV sepse mendojnë që është kundër fertilitetit.

Zëri i Amerikës: Ka të bëjë kjo me keqinformim?

Bashkim Ziberi: Ka të bëjë me keqinformim, ka të bëjë me paragjykimin tek popullata që nuk kanë besim tek autoritetet. Por, nga ana tjetër nuk diskutohet se autoritetet mund të bëjnë më shumë nëse ata do të kishin një strategji afatgjatë për të diagnostikuar sëmundjet kancerogjene. Për shembull, një çështje është ajo e mamografisë. Pacientët tek ne duhet të presin me muaj e vite e shpesh nuk ka fare vizita në dispozicion për të bërë një kontroll të mamografisë.

Zëri i Amerikës: Ka mjekë të mjaftueshëm dhe pajisje të duhura për trajtimin e pacientëve?

Bashkim Ziberi: Pajisjet janë një prej problemeve që përmenda dhe ajo nuk diskutohet. Edhe kur ato janë, nuk janë të siguruara në formën që të përmbyllin atë mozaikun, atë ciklin e plotë të kontrolleve që duhet të bëjnë pacientët.

Zëri i Amerikës: E keni fjalën për mirëmbajtjen e tyre?

Bashkim Ziberi: Po edhe për mirëmbajtjen e tyre sepse nuk përfundon puna vetëm me sigurimin e paisjeve. Në Maqedoni kemi tre akseleratorë pasi 50% e pacientëve që diagnostikohen me kancer marrin terapi të rrezatimit. Tre i kemi në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, një në spitalin Tetë Shtatori (në Shkup) që do të vihet në funksion. Kemi 1 akselerator në Shtip dhe Manastir që ka 3 apo 4 vite që nuk janë në funksion për shkak të stafit teknik që mungon. Kurse, në Tetovë, nuk e kanë menduar fare që në Klinikën Universitare të Tetovës të vendoset një pajisje e tillë.

Zëri i Amerikës: Nuk ka staf teknik sepse nuk i punësojnë apo mugojnë sepse nuk ka persona të kualifikuar?

Bashkim Ziberi: Mungojnë personat e kualifikuar për profesione të tilla, por mungon edhe strategjia e institucioneve publike për të krijuar kuadro të tillë.

Zëri i Amerikës: Ju jeni profesor i Fizikës mjeksore në Universitetin e Tetovës. Pse ka mungesë, për shkak se është një fushë e vështirë?

Bashkim Ziberi: Tek ne nuk përceptohet ashtu siç duhet roli i fizikanit mjekësor. Për shembull në Spitalin e Tetovës ne kemi pajisjet e rrezatimit, rentgen, ultra-tinguj, mamograf dhe nuk kemi asnjë fizikan të fushës së mjekësisë. Me rregulla ndërkombëtare duhet të kemi deri në 3 fizikanë mjekësorë, pra nuk përcaktohet siç duhet ky rol. Në përgjithësi, në fushat e shkencave të natyrës ne kemi vështirësi të krijojmë kuadro për shkak të mungesës së perspektivës, pasi të rinjtë nuk e shohin të ardhmen tek arsimi. Kjo bën që të mos kemi studentë, të mos kemi as pedagogë dhe as te pjesa e profesionistëve të fizikanëve mjekësor. Pozita e fizikanit mjekësor është më e avancuar pasi fillimisht duhet përfunduar fizikën e përgjithshme.

Zëri i Amerikës: Universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ndodhen në listën e 1 mijë universiteteve më të mira në botë, sipas renditjes së Shangait. Cila është arsyeja?

Bashkim Ziberi: Universitetet tona të rajonit dhe universitetet në shqip nuk janë as në listën e 2 mijë universiteteve më të mira. Pra, nuk janë fare në listën e Shangait. Kjo ka të bëjë me mungesën e cilësisë. Duke filluar nga pjesa infrastrukturore dhe pjesa e kuadrit dhe pjesa e strategjisë për të zhvilluar arsimin në tërësi, përfshirë arsimin e lartë dhe hulumtimin shkencor sepse janë ngushtësisht të lidhura në mes vete.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re