Shqipëria po kalon ditë të arta sa i takon turizmit për shkak se numri i turistëve të huaj është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithatë, vendi ynë nuk është i përgatitur për këtë fluks të madh sa i përket strukturave akomoduese. Kështu deklaroi eksperti i turizmit, Leonard Maçi.

Në një intervistë për emisionin “NewsLine” me gazetaren Viol Xhafaj, eksperti theksoi se vendi ynë synohet për shkak të çmimeve të lira dhe se nuk jemi ende në kushtet për “turistë cilësorë dhe me buxhet të mjaftueshëm apo për të kërkuar paketa më të shtrenjta dhe për të lënë para në shtetin shqiptar”.

“Nga viti në vit do të ketë një numër më tepër të turistëve të Evropës Perëndimore drejt Shqipërisë. Marketingu ka qenë elementi që ka qenë i munguar në pikënisje nga Shqipëria por kur është pasur një vëmendje e veçantë nga mediat ndërkombëtare, shoqëruar edhe nga rrjetet sociale, vijuar edhe në nivel kombëtar ka bërë që fluksi të shtohet. Numrat janë rritur por duhet të kemi kujdes me marketingun e shtuar pasi nuk jemi në gjendje që t’i përgjigjemi këtij lloj marketingu, prurjeve që vijnë si pasojë e këtij marketingu.

Në Shqipëri mburret duke thënë se kemi 7.5 milionë turistë, imagjinojmë pak se cili mund të ishte pak raporti i akomodimit të turistëve nga ky numër kaq i lartë në këtë numër kaq të pakët shtretërish. Kjo sjell një konfuzion të përgjithshëm në strukturat akomoduese në mirëorganizimin e tyre dhe ofrimin e shërbimit.”, theksoi eksperti.

“Ne jemi në një moment katarsis sepse Shqipëria prevalohet nga numri i turistëve kosovarë dhe ata të Lindjes. Dhe jemi në një moment që edhe prania e turistëve nga Evropa Perëndimore eshtë në shtim e sipër por nuk jemi në kushtet që kemi turistë cilësorë dhe me buxhet të mjaftueshëm apo për të kërkuar paketa më të shtrenjta dhe për të lënë para në shtetin shqiptar.“, shtoi Maçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re