Klodian Muço, i ftuar në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus, tha se klasa e mesme në vendin tonë nuk është ndihmuar të konsolidohet. Madje përkundrazi politikat ekonomike dhe fiskale kanë ndikuar që kjo shtresë të mbetet në minorancë për vite të tëra.

“Pse nuk ka zhvillim? E thjeshtë se ne nuk kemi një model të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik. Madje dhe ato pak fonde që jepen përqendrohen në pak duar dhe në pak zona. Ky fakt krijon pabarazi dhe nga rritja ekonomike nuk përfitojnë në mënyrë të njëtrajtshme qytetarët”, – tha Muço në “E-ZONE”.

Paralelisht me këtë fakt, sipas Muços disa shifra të tërthorta evidentojnë se pagat zënë një përqindje shumë më të ulët në raport me prodhimin e brendshëm bruto, krahasuar me vendet europiane.

“Po të shohim pagat totale të deklaruara ne kuptojmë se ato zënë gati 20% të prodhimit të brendshëm bruto, ndërkohë që në vendet e BE ky tregues arrin në 40%. Kaq mjafton që ne të kuptojmë që nuk kemi mbështetur shtresën e mesme ndër vite”, – tha Muço.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re