Eksportet shqiptare kanë thelluar edhe më shumë rënien për shkak të pandemisë. Sipas të dhënave të INSTAT gjatë periudhës janar–tetor, eksportet e mallrave shqiptare u ulën me 12,2% ose e përkthyer në vlerë 221 miliardë lekë.

Negativë kanë qenë treguesit edhe për tetorin nëse e krahasojmë me një vit më parë i është rikthyer rënies me 0.9%.

Presidenti i Qendrës Shqiptare të Eksporteve thekson se një situatë e tillë pritet që të thellohet edhe më shumë nga rikthimi i karantinës në disa vende e sidomos nga ulja e konsumit.

“Ndonëse patëm një lloj lulëzimi gjatë verës dhe shtatorit, kjo ishte e pritshme. Për shkak të rënies së konsumit në vendet ku ne eksportojmë. Për më tepër, kufizimet që po ndodhin tashmë në Evropë, normalisht që ulin më tepër fluksin e mallrave, fluksin e konsumit.”

Eksportuesit i bëjnë apel qeverisë për ndihmë.

Alban Zusi shprehet se është e domosdoshme një paketë e tretë për të mbështetur eksportuesit që të përshtatin linjat e prodhimit me kërkesat e tregut. Për shkak të pandemisë kërkesat për mallra kanë ndryshuar shumë.

“Duhet që të mbështesim industritë për t’u përshtatur me këtë treg të ri, me këtë kërkesë të re, që mesa kuptojmë nuk ka për të qenë afatshkurtër…Ne nuk e kemi luksin që t’i lëmë industritë tona që ta zgjidhin vetë sfidën e madhe të përshtatjes.”

Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -6,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,3 pikë përqindje. I vetmi nëngrup që ka njohur një rritje të lehtë rezulton që të jetë “Ushqim, pije, duhan” me +1,1 %.

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia -16,6 %, Kosova -17,5 % dhe Spanja -24,1 %.

NDIKIMI I NËNGRUPEVE NË RËNIEN E EKSPORTEVE

“Tekstile dhe këpucë” me -6,2 %

“Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,8 %

“Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,3%

“Ushqim, pije, duhan” me +1,1 %

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re