NIKOLETA KOVAÇI/ Emri i Ervin Muçës bashkë me veprimin e tij të ndërhyrjes në sistemin e të dhënave doli në media pas rreth një jave që ai mbërriti në krye të Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit.

Në fakt, ishte denoncimi publik i një eksperti IT-je që tregoi me detaje dhe fakte gjithçka po ndodhte nën urdhrat e drejtorit të ri të atij sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Bëhej fjalë konkreti sht për Ervin Muçën, personin që pasditen e djeshme, Prokuroria e Tiranës tregoi se e kishte vënë nën akuzë dhe madje kishte kërkuar për të jo vetëm arrest shtëpie, por edhe pezullim nga detyra.

Në kohën kur u bë denoncimi i drejtuesit të IT në Polici, një reagim i ashpër erdhi edhe nga vetë Ambasada Amerikane që sipas të dhënave të asaj kohe shfaqi shqetësim të madh për ndërhyrjen në atë sistem. Po në atë kohë u tha se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte nisur hetimet, por deri ditën e djeshme askush nuk di të thotë se çfarë ka ndodhur me atë ndërhyrje të paautorizuar në sistemin TIMS.

Prokuroria e Tiranës, me anë të një njoftimi ka bërë me dije se ndaj Ervin Muçës, Prokuroria e kryeqytetit ka kërkuar masën e sigurisë së “Arrestit në shtëpi” dhe pezullim nga detyra për ndërhyrje të paligjshme në sistem, duke kopjuar bazën e të dhënave në mënyrë të paautorizuar. Ndërhyrja në sistem solli një reagim të fortë të ambasadës amerikane në Tiranë dhe më pas detyroi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke bërë një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për ndërhyrjen në sistemin TIMS, për “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërhyrje e pa autorizuar”. Denoncimi i parë publik për kreun e IT-së u bë në fillim të gushtit të një viti më parë, e që prej atij momenti, drejtuesi i departamentit të Teknologjisë dhe të Informacionit në Policinë e Shtetit ka qenë i përfolur për kryerjen e këtij akti. Tashmë do të jetë Prokuroria e Tiranës që do të vijojë hetimin për akuzën e bërë publike që lidhet pikërisht me veprimin e Muçës.

NJOFTIMI:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkon masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237, 242 të Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.M., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka referuar materialin procedural regjistruar me nr. 9866, datë 01.09.2023 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, si dhe “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 192/b të Kodit Penal. Po kështu, me shkresën nr. 2482 prot, datë 08.08.2023 Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka përcjellë material hetimor, protokolluar me nr. 10898, datë 08.08.2023, për vlerësim dhe është regjistruar procedimi penal nr. 5404, datë 01.09.2023.

Në vijueshmëri të hetimit, shtetasi E. M. është marrë person nën hetim, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal. Në mënyrë të përmbledhur nga hetimi i procedimit penal rezulton se, në datën 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. “Mine Peza” në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, E.M.. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me PIN-in personal të një punonjësi tjetër joprezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jokorrekte dhe në kundërshtim me ligjin. Hetimi i këtij procedimi penal është shtrirë në pyetjen e tërë personazheve të përfshirë në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe në kryerjen e ekspertimeve përkatëse. Në vijim të procesit hetimor janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmërisë së personit nën hetim E. M., në raport me pozicionin e tij drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin.

Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot., datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008, shtetasit E. M. i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari. Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit. Ligji për Policinë e Shtetit ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Personi nën hetim E. M. nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e DTI në Policinë e Shtetit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re