Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrugullaku ka urdhëruar  Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, të  pezullojë  menjëherë nga detyra drejtuesin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça.

Urdhri është lëshuar pasi Rrumbullaku u njoh me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe urdhrin e ekzekutimit të Prokurorisë Tiranë, për masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi  i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të caktuara për Muçën.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, të pezullojë menjëherë nga detyra drejtuesin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit, E. M.

Më datë 09.04.2024, Drejtori i Përgjithshëm është njohur me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe urdhrin e ekzekutimit të Prokurorisë Tiranë, për masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të caktuara për këtë shtetas.

Çfarë thuhet në njoftimin e Prokurorisë Tiranë:

Nga hetimet, rezulton se, në datën 2 gusht 2023, në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça.

Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.

Hetimi i këtij procedimi penal është shtrirë në pyetjen e tërë personazheve të përfshirë në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe në kryerjen e ekspertimeve përkatëse.

Në vijim të procesit hetimor, janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmerisë së personit nën hetim Muça, në raport me pozicionin e tij Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin.

Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot, datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjes për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë.

Në datë 09.09.2008 ,Muçës i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.

Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies.

Muça nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e DTI në policinë e shtetit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re