Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë nisjen e procedurave për ekstradimin e të shumëkërkuarit të drejtësisë shqiptare, Behar Bajri.

 

Ky i fundit u arrestua, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, në një lokal në Paris, të hënën e 4 shtatorit. Në këto kushte, hapi i radhës është që Ministria e Drejtësisë të nisë letër-porosi drejtuar autoriteteve franceze, në mënyrë që Bajri të japë “llogari” për drejtësinë shqiptare, lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij. Behar Bajri akuzohet se ka përgatitur kushtet për vrasjen Gjin Boriçit në Vaun e Dejës, tentativat e vrasjes së Kleanthi Musabelliut, Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit.

 

Akuzat u ngritën pas dekodimit të aplikacioneve SkyECC dhe EncroChat, si rezultat i bashkëpunimit të autoriteteve franceze, holandeze dhe belge.

 

Megjithatë, i takon drejtësisë franceze të thotë fjalën e fundit nëse do të ekstradojë të prangosurin Behar Bajri, për llogari të shtetit shqiptar apo jo, një procedurë kjo që do të bëhet në sajë të konventave ndërkombëtare për sa kohë Shqipëria ende nuk ka një marrëveshje ekstradimi me këtë shtet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re