Ekstradohet nga Belgjika, Leonard Duka, i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur në gusht të viti 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë.
Leonard Duka pritet të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 14:30.
Kujtojmë që Leonard Duka u arrestua në shkurt të 2023 në Belgjikë por qëndroi vetëm disa muaj në arrest, pasi ende nuk kishte marrëveshje për ekstradimin e tij.
Pas megaoperacionit policor, Metamorfoza 2 ku u zbardhën biseda në Sky Ecc të kokave të krimit në Shqipëri dhe u zbardhën disa vrasje dhe tentativa për vrasje, Duka u shpall sërish në kërkim dhe më 18 maj 2024 u vu në pranga në Belgjikë.
Leonard Duka njihet edhe si kreu i ‘klanit Duka’, grup kriminal që ka pasur konflikt të vazhdueshëm me grupin e Ervis Martinjat. Duka është arrestuar në vitin 2019-n kudër të një operacioni për luftën kundër trafikut të drogës. Po ashtu ai ka qenë në kërkim për një atentat, por të pasuksesshëm.
Arrestimi
Duka një nga njerëzit më të kërkuar nga Policia shqiptare, u arrestua më 14 shkurt 2023 në Belgjikë. I konsideruar si armiku më i ashpër i Ervis Martinajt, i zhdukur që prej datës 9 gusht të vitit 2022, Duka ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.
Të gjithë e dinin në Dubai, por ai u prangos në një provincë të Brukselit. Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua pas informacioneve të skuadrës policore “Fast Albanai”, që kishin zbuluar se Duka fshihej në një banesë private.
Në bashkëpunim me Interpolin dhe homologët belgë, u arrit arrestimi i tij. Leonard Duka aktualisht po gjykohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, një nga njerëzit më të besuar të Ervis Martinajt.
Njoftimi i Arrestimit me 14 shkurt
Policia e Shtetit/Vijon bashkëpunimi me homologët, për kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Provinca”.Operacioni, falë inteligjencës informative të siguruar nga Fast Albanaia, si dhe falë shkëmbimit në kohë të informacionit me homologët e Fast Belgjikës dhe midis ZQK Interpol Tirana e zyrës homologe të Interpol Brukselit.
Kapet nga Fast Belgjika, në një provincë të Brukselit, një shtetas shumë i kërkuar ndërkombëtarisht, për krime kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje.
Në vijim të punës për grumbullimin e informacioneve, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë inteligjencës informative të siguruar nga Fast Albania, për vendodhjen e një të shumëkërkuari që fshihej në një banesë private, në një provincë të Brukselit, menjëherë kanë shkëmbyer informacion me Fast Belgjikën, të cilët në kuadër të operacionit policor të koduar “Provinca“, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin shtetasin e shumëkërkuar L. D., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi L. D. ishte i shpallur ne kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Ky shtetas dyshohet se është një nga autorët e vrasjes së shtetasit S. M., të ndodhur në gusht të viti 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë.
Interpol Tirana vijon punën për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë.
Dosja Hetimore
Leonard Duka dhe Ervis Martinaj kanë pasur shoqëri prej rreth 15 vitesh me njëri-tjetrin dhe kanë bashkëpunuar me qëllim zhvillimin e biznesit në fushën e lojrave të fatit si dhe në administrimin e bizneseve të llojit, hotele, lokale në zonën e ish-Bllokut dhe të tjera të Tiranës.
Po kështu këta dy shtetas kanë bashkëpunuar edhe me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikut të narkotikëve me qëllim përfitimi.
Por duket se kjo shoqëri mori fund pasi dhunimit që Santiago Malko, miku i Ervis Martinaj, i bëri babait të Leonard Dukës.
Duka që mesa duket nuk ia fali Malkos, këtë poshtërim.
Por organizoi vrasjen e tij, që nuk vonoi.
Dosja Hetimore
Konflikti midis Dukës dhe Martinaj ka nisur për shkak të një debati që Leonard Duka ka pasur me Santiago Malkon, shtetasin e vrarë me datë 27 Gusht 2019 në Tiranë.
I cili rezulton se ka dhunuar babain e Leonardit, shtetasin Muhamed Duka.
Santiago Malko që dyshohet se ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme ne fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër jetës ishte lidhje e ngushtë e Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasit.
Pikërisht pas vrasjes së Santiago Malkos, Ervis Martinaj bën përgjegjës për ekzekutimin e mikut të tij Leonard Dukën dhe lidhjet e tij.
Nga ku Martinaj fillon të investohet për të vrarë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka dhe lidhjet e tyre shoqërore.
Ndërkohë që nga krahu tjetër këta persona investohen për të vrarë Ervis Martinajn, Erigers Mihasin dhe njohjet e tyre.
Dosja Hetimore
Nga analizimi i komunikimeve del se Fatmir Hyseni shfaqet si një person me eksperiencë në fushën e krimeve kundër jetës dhe është i angazhuar në mënyrë konstante për lokalizimin dhe vrasjen e Ervis Martinaj dhe lidhjeve të tij.
Më datë 10 Korrik 2020, Leonard Duka ka siguruar një informacion që Ervis Martinaj mund të jetë në plazh me një femër në Dhërmi tek një vend i njohur si ‘Vin Bakalli’.
Për këtë arsye ka njoftuar Fatmir Hysenin.
Dhe ky i fundit ka dërguar një person që i drejtohet me emrin ‘nipçe’ për të verifikuar këtë informacion.
Por ndërkohë që Ervis Martinaj po përgatitej të fuste në kurth Leonard Dukën, ky i fundit mëson për planin e kundërshtarit të tij.
Dhe organizohet ta zerë në befasi atë që deri dje ishte miku i tij. Por që tani ishte armiku më i betuar.
Dosja Hetimore
Në periudhën kohore duke filluar nga data 1 Gusht 2020 dhe në vazhdimësi Leonard Duka ka siguruar informacion që Ervis Martinaj ka angazhuar disa femra me qëllim për t’i afruar pranë tij që ta nxirrnin në pritë.
Për këtë arsye Leonard Duka njofton Fatmir Hysenin i cili angazhohet për planifikimin e vrasjes së personave që do të afrohen për të vrarë Leonardin.
Në këtë plan kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët e grupit të drejtuar nga Leonard Duka ku ky i fundit do të luante rolin e ‘karremit’ i cili do të takohej me këto femra në një vend ku terreni është i njohur mirë nga ai vetë dhe lidhjet e tij.
Por vajzat nga Shkodra nuk erdhën në takim, dhe kështu plani duket se dështoi.
Ndërkohë që grupi i Leonard Dukës, mësoi se personi që do i fuste ata në kurth ishte Erigers Mihasi.
Edhe ky i vrarë në një atentat në Tiranë, disa kohë më pas.
Dosja Hetimore
Leonard Duka dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dyshuar se organizatori i takimit me vajzat atë ditë do të ishte Erigers Mihasi, i njohur me pseudonimin ‘Boli’ dhe një person tjetër që dyshohet se është punonjës policie që i thërrasin me emrin ‘Olci’.
Më datë 12 Gusht 2020, Leonard Duka ka kontaktuar me femrat me të cilat do të organizonte takimin por ato nuk janë treguar të disponueshme të takoheshin në këtë datë sepse njëra ishte në Shkodër ndërsa tjetra kishte angazhime.