Është ekstraduar nga Greqia në Shqipëri, shtetasi Altin Merdani, 46 vjeç, pasi Gjykata e Gjirokastrës, në vitin 2017, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
46-vjeçari, vitin 2015, në bashkëpunim me shtetasit P. Sh. dhe G. I., transportoi në fshatin Frashër, Përmet, rreth 100 kg Cannabis. Gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale, në drejtim të 3 shtetasve u qëllua me armë. Nga të shtënat u dëmtua shtetasi G. I.. Nga dënimi, 46-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 2 vjet e gjysmë burgim.
Gjithashtu, u ekstradua nga Shqipëria në Itali, shtetasi Fatmir Isollari, 58 vjeç, pasi Gjykata e Apelit e Firences e ka dënuar me 7 vjet burgim, për trafikim të lëndës narkotike Kokainë, kryer në kuadrin e organizatës kriminale;
Po ashtu u ekstradua nga Shqipëria në Itali, shtetasi Xh. H., 30 vjeç, pasi Gjykata e Romës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për trafikim të lëndëve narkotike, pjesëmarrje në komplot kriminal dhe zhvatje në rrethana rënduese; si edhe shtetasi A. A., 27 vjeç, pasi Gjykata e Romës ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.