Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin e Ardian Nikulajt më 19 prill në lokalin e tij në Shëngjin. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për gazetarin e “Panorama TV”, Ervin Leka se britanikët kanë pasur secili role të ndara dhe detyra për kryerjen me sukses të vrasjes.

Mësohet se rreth orës 22:40, të datës 3 prill në Rinas kanë mbërritur nga Britania e Madhe , Harriet Bridgeman dhe Thomas Mithan. Ata janë larguar më një automjet Golf5, kjo e dokumentuar edhe me filmimet e kamerave të sigurisë.

Ky automjet ishte i pozicionuar pranë një lokali në Rinas, Në të njëjtin vend ku është filmuar edhe Edmons Haxhija më datë 14 shkurt. Aty ka pritur të parin vrasësin Portugez Ruben Saraiven, konkretisht me datë 14 shkurt ku zbriti në aeroportin e Rinasit.

Sipas grupit hetimor sapo kanë hipur në makinë dy anglezët janë nisur drejt Shëngjinit. Kanë mbërritur rreth orës 1:40. Ata kanë qëndruar në hotel “L…” në pronësi të vëllait të Ardian Nikulajt.

Burimet bëjnë të ditur se më datë 5 prill në dhomën e tyre në hotel “L…” shkon anglezi tjetër Steven Paul Hunt. Pasi qëndrojnë disa orë bashkë ata shpërndahen.

Është anglezi Thomas Mithan që largohet nga Shqipëria nga Rinasi.

Stiven Hunt bashkë me shtetasen britanike janë filmuar sërish më 6 prill. Ata shfaqen  në orën 11:30 të datës 6 Prill shkojnë në lokalin “Coral” në pronësi të Ardian Nikulaj, në të njëjtin ku ndodhi dhe vrasja.

Kamerat e lokalit i kanë fiksuar deri në orën 14:30.  Dyshohet se ata kanë shkrepur fotografi dhe video në lokal. Në lokal gjatë kësaj kohe ka qenë edhe vete shënjestra Ardian Nikulaj. Burimet bëjnë të ditur se pas këtyre veprimeve dy të rinjtë janë larguar në drejtim të Greqisë.

Harry Simpson vezhgoi nga afer levizjet e Nikulajt

Britaniku tjetër, Harry Simpson, i cili ka patur rolin e vëzhguesit të afërt, rezulton së ka mbërritur në 11 Prill pranë lokal “T…” në Rinas.

Shënonte ora 00.56 kur britaniku Simson hipën në makinën “Volksëagen” dhe lëviz për në Lezhë.

Në orët e para të mëngjesit shihet në shëtitoren e Shëngjinit dhe në orën 03:09 shkon te hotel “R…..”.

Të nesërmen deri ditën e vrasjes ka qëndruar në hotel “B…”.

Policia ka marrë në pyetje edhe recepsionistin i cili ka rrëfyer se tre ditë ka paguar nga 30 Euro dhe 5 ditët e tjera nga 30 mijë lekë nata.

Pagesën e ka kryer çdo ditë. Recepsionisti që fliste mirë anglisht e ka kuptuar theksin britanik të klientit. Por nuk e ka regjistruar me pasaportë.

Qendrimi ne lokal derisa ndodhi vrasja

Harry James Simpson ka shtyrë qëndrimin çdo ditë deri pasditen e 19 Prillit. Në 19 Prill, Harry ka qëndruar në lokal nga ora 11:33 deri në momentin kur ndodhi vrasja.

Ai shihet të konsumojë disa birra, dhe të luajë bilardo me një të mitur. Gjatë kësaj kohe ai shihet të fliste shpesh në telefon duke hyrë dhe dalë nga lokali.

Ditën e ngjarjes ai ka dalë në orën 09:00 të mëngjesit dhe është kthyer rreth drekës duke i treguar recepsionistit për plumbat te lokali ku kishte qenë. Pas kësaj, ai ka kërkuar një taksi për të ikur deri në Fushë Krujë.

Me taksi është nisur në orën 14:30 dhe ka mbërritur në aeroportin e Rinasit në orën 15:30.

Është filmuar nga kamerat e aeroportit të hyjë në tualet e të ndërrojë rrobat.

Ka bere check-in dhe në 21:34 është fiksuar te pika e kontrollit të pasaportave, ku ka tentuar të kalojë pa e skanuar. Është thirrur nga policët dhe më pas është regjistruar.

Nga ana tjetër, i akuzuari si porositës dhe financues, Edmond Haxhija ka hyrë në Shqipëri në 24 Nëntor e ka dalë në 20 Prill nga Rinasi.

Po ashtu mësohet se pistoleta TT me të cilën është kryer vrasja dyshohet se është hedhur në lumin Drin. Polumbarët dhe forcat RENEA kanë vijuar kontrollet, por deri tani pa rezultate.

Të shpallur në kërkim nga policia:

Edmond Haxhia, shtetas shqiptaro-britanik (porositësi dhe financuesi i atentatit)

Ruben Saraiva (ekzekutori portugez)

Harry Simson, shtetas britanik

Harriet Bridgeman, shtetase britanike

Thomas Mithan, shtetas britanik

Steven Hunt, shtetas britanik (shfaqet në kamerat e sigurisë teksa vëzhgon lëvizjet e Nikulajt)

4 britanikët Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, portugezi Ruben Saravia dhe Edmond Haxhia akuzohen për “Vrasje për Gjakmarrje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re