Një nga tre të akuzuarit për vrasjen e gazetares malteze Daphne Caruana Galizia, e cila po hetonte korrupsionin në këtë shtet ishull, pranoi fajin të martën.

Caurana Galizia u vra më 16 tetor 2017, kur makina e saj u hodh në erë.

Vince Muscat u deklarua i pafajshëm në seancën e parë, por ndryshoi mendim pasi u mblodhën prova.

Ai ka qenë në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2017, kur së bashku me dy burra të tjerë u akuzuan për planifikimin dhe kryerjen e atentatit.

Dy të pandehurit e tjerë ende deklarohen ë të pafajshëm, raporton Reuters.

Përgjegjësia politike

Vrasja e gazetares me makinë bombë tërhoqi vëmendjen për problemin e korrupsionit në anëtarin më të vogël të Bashkimit Evropian.

Një person i katërt, multimilioneri dhe biznesmeni Yorgen Fenech, i lidhur me qarqet më të larta të qeverisë, dyshohet për urdhërimin e vrasjes dhe akuzohet për bashkëpunim në krim.

Ai vazhdimisht i mohon të gjitha akuzat kundër tij.

I vetëshpallur ndërmjetësues në atë komplot, Melvin Theuma u deklarua fajtor në 2019 në këmbim të faljes.

Muscat kërkoi një zgjidhje të ngjashme, por ajo u refuzua muajin e kaluar.

Burimet gjyqësore thonë se atij i është ofruar një dënim i zbritur.

Muscat nuk ka lidhje me Joseph Muscat, ish-kryeministrin, gjatë mandatit të të cilit u vra Caruana Galizia dhe i cili dha dorëheqjen në dhjetor 2019 në mënyrë që, me fjalët e tij, “të merrte përgjegjësi politike”.

Por miliarderi Fenech ishte një mik i ngushtë i Keith Schembri, ish-shefi i zyrës së kryeministrit Muscat.

Schembri mohon çdo përgjegjësi penale dhe pretendon se ai nuk kishte njohuri për vrasjen ose autorët.

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re