Vrasësi me pagesë, Henrik Hoxhaj, ish-bashkëpuntor i Nuredin Dumani, ka dëshmuar ditën e sotme në seancën gjyqësore në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”
Në dëshminë e tij para GJKKO-së, Hoxhaj ka rrëfyer me detaje mënyrën se si u organizua dhe u krye atentati ndaj Dorjan Shkozës, duke shpjeguar rolet, armët e përdorura dhe pagesën për ekzekutimin.
“Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur te ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020. Aty jemi njohur, duke ngrënë e duke pirë. Kemi shkëmbyer numrat. Disa muaj më vonë u takuam. Nuredini ishte i interesuar për të më takuar. Nuk e mbaj mend, por më duket se kemi komunikuar me telefona të kriptuar. Kemi biseduar për disa vrasje. Ai kishte marrë porosi nga Krymi. Më tha që janë disa punë për t’u bërë, a je i interesuar. Unë i thashë po. Nuredini më tha për dy vrasje që do bëheshin në Durrës. Në fillim qe si porosi e Krymit, por pastaj i paraqiti si problematika të tij. Tha: a je dakord në fillim. Po dakord, i thashë.
Në këtë takim diskutuam për vrasjen e Dorjan Shkozës. Do kryhej kundrejt pagesës. Në fillim propozoi 70 mijë euro. Ai gjeti mjetet dhe armët. Shofer qe Elio Bitri, elbasanlli. Si kohë, ishte pak pas takimit, në pandemi. Nuk kishim leje, por ishim sipas rregullave, me rrip, me rregulla qarkullimi. Ditën e ngjarjes kam shkuar në Durrës. U takova te shtëpia e Nuredinit në Durrës. Nga aty u nisëm. Kemi përdorur një makinë të zezë. Ishte Elio në timon, unë mbrapa shoferit. Kisha unë dy armë, Elio një. Nuredini u nis me ne. Ne kemi dalë një xhiro te servisi. Kur kaluam herën e parë nuk ishte prezent. Kur u kthyem ishte aty. Ishte me dy persona të shoqëruar.
Elio më thotë: ja ku janë. Ishin tre vetë në trotuar. Unë i qëllova me armë nga brenda makinës. Një armë m’u bllokua, përdora tjetrën. Njëri nga ata ngeli në vend. Dorjani u rrëzua pak më tutje. Unë i thashë: a ti je Dorjani? Ai tha jo. Pyeta Elion: a ky është? Po, më tha ai. Edhe e godita. Një e goditi edhe Elio. Pati një pistoletë me mulli. Pas vrasjes hipa në makinë. Në ikje e sipër, i thashë: mua më lër te Plepat, ku kisha lënë një makinë.
Unë hipa tek ajo me duar në xhepa. Ndërsa makina tjetër iku dhe u dogj te Bishti i Zhurit. Nuredini ka qenë pas nesh dhe e ka parë ngjarjen. Më tha: o kusho, doli shumë mirë. Pagesën e mora për ngjarjen, por ajo 70-shja u nda mes meje dhe Elios. 35 mora. Nuk e di sa i dha Elios. Pas kësaj vrasjeje kam jetuar në Tiranë. Nuk fshihesha. Lekët Nuredini më tha se i merrte nga “Krymi”, ka thënë gjatë dëshmisë së tij Hoxhaj.
NGJARJA
Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan në Shkozet të Durrësit në 2 mars 2020. Viktimat ishin duke ecur me këmbë kur janë qëlluar nga një makinë në ecje.
Dorian Shkoza kishte qenë i dënuar me 8 vite burg për trafik droge dhe ishte liruar në vitin 2010.
Ai ishte një nga subjektet e Operacionit Forca e Ligjit, që do t’i dërgohej edhe formulari për deklarimin e origjinës së pasurisë.
“Më datë 02.03.2020, rreth orës 19.00, në vendin e quajtur lagjja nr. 14 “Nishtulla” Shkozet Durrës, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri nga një mjet tip Benz, në drejtim të shtetasve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, për pasojë të dy kanë gjetur vdekjen. Ditën e ngjarjes rreth orës 18.30 viktima Dorian Shkoza ka qenë në servisin e tij në Nishtulla duke punuar, kurse viktima tjetër Anxhelo Avdia rreth orës 18.30 ka takuar shokun e tij Bajram Prillo me të cilin kanë shkuar në kafe afër serivisit të Dorian Shkoza dhe janë takuar me këtë fundit.
Në një moment kur viktima Dorian Shkoza i trembur nga lëvizjet e një mjeti tip Benz ka shkuar t’i pyes shtetasit nëse kishin parë ndonjë makine me xhama të errët, u ka ardhur menjëherë te këmbët makina Benz me xhama të zinj dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë me viktimat është dëgjuar një e shtënë arme nga brenda makinës. Viktimat dhe shtetasi Bajram Prollo janë munduar të shmangen, duke u larguar, ndërkohë që nga mjeti kanë zbritur dy prej autorëve të cilët kanë qëlluar disa herë në drejtim të tyre dhe si pasojë ka vdekur menjeherë shtetasi Dorjan Shkoza dhe është plagosur shtetasi Anxhelo Avdia i cili më pas ka ndërruar jetë në spital”, do të njoftonte aso kohe policia.
Dëshmia e Alibejt:
Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Erion Alibej, Dorian Shkoza ishte njeriu më i afërt me Talo Çelën prandaj ishte shumë e rëndësishme që të ekzekutohej.
“Ishte shume e rëndësishme që të vritej Dorian Shkoza, ishte njeriu më i afërt i Talo Çelës. Një natë më shkruajti Nuredini, “Vëlla mbaroi i pari, shiko tv”, pashë lajmet ishte vrarë Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Këtë të dytin s’e kisha degjuar me pare. I thashë Nuredinit “po këtë pse”, më tha “hajde se dhe ky i atyre është.”
Provat për krimin në fjalë dhe krime të tjera, u zbuluan bazuar në dëshminë e anëtarëve të krimit të organizuar të penduar, si dhe nga të dhënat e siguruara prej përgjimeve të aplikacioneve SKY-ECC.
LEXO EDHE: “Doja që Talo Çela dhe Altin Ndoci të vriteshin, por jo…”/ Çfarë rrëfente në gjyq Nuredin Dumani?


