Nga Libohova, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj Mirela Kumbaros, duke thënë se kur ajo ishte ministre e Kulturës ka abuzuar me tenderat. Berisha u ndal edhe tek Elira Kokona, për të cilën u shpreh se ajo u merrte para klientëve që kishin paditur shtetin në Strasburg dhe i ndante ato me Edi Ramën dhe ministren Kumbaro.

Berisha u shpreh se Kumbaro e ka dosjen plot dhe kjo dosje do ta ndjekë atë gjithë jetën. Po ashtu Berisha u shpreh se edhe kandidati rival në këtë bashki është vendosur nga Mirela Kumbaro.

“Ndodh rëndomë që dy vëllezër, njëri të jetë në një parti, tjetri të jetë në një parti tjetër. Ndodh, dhe ka ndodhur edhe me ne që kryetarin e PD, ishte kryetar PD, të shoqen e kishte anëtare të partisë tjetër. Këto janë për njerëzit e emancipuar gjëra normale. Por tani dua të them dy fjalë këtu.

Z.Xhelili vjen para jush dhe para qytetarëve të Libohovës në një proces dinjitoz, me një proces të hapur. Ka dalë para jush dhe ju ka kërkuar besimin, ju ka kërkuar votën, ju ka shprehur mendimet. Ai kandidati tjetër, vjen para jush as më pas e as më shumë sesa kandidat i ndrikull Kumbaros, ndrikull sherrit.

Absolutisht, do t’i qëndroja fjalës së parë që edhe vëllezërit të jenë në parti të ndryshme, por tani dallimi bëhet si nata me ditën, sepse zotëria që garon për rilindjen nuk ka marrë asnjë votë nga asnjë socialist. Është promovuar dhe kandiduar nga ndrikulla e cila po të kishte një mbiemër të dytë do të mund të quhej Mirela Sherri. Po të kishte një mbiemër të dytë do mund të quhej Mirela Korrupsioni.

Se kjo zonja Kumbaro, që ta dini ju e ka dosjen plot, edhe e garantoj që ajo dosje do ta ndjekë gjithë jetën e vet. Ajo ka abuzuar në mënyrë të tmerrshme me tenderat në Ministrinë e Kulturës. Kjo zonja Sherr, ka mbajtur Sekretare të Përgjithshme për shumë kohë, derisa i çoi Edi Ramës një zonjë tjetër të quajtur, Elira Kokona, mbesa e Petrit Dumes.

Zonja Kokona në një kohë që organizonte të gjithë tenderat në Ministri të Kulturës, sipas standardeve të ministres bënte avokaten në Strasburg dhe në gjykatën e Tiranës të klientëve që kishin paditur shtetin. Në historinë e botës, veç me ndrikull Kumbaron dhe Edi Ramën, kjo nuk mund të ndodhë.

Tani, çfarë ndodhte? Sigurisht, si avokate që klientët kishin paditur shtetin në Strasburg dhe shuma shumë të mëdha. Paratë që iu merrte klientëve në gjykatat e Tiranës që kishin paditur shtetin, i ndante me ministren, kryeministren, me qeveritarët. Se ndryshe ajo duhet të ishte sot e dënuar të paktën 6-12 vite burg. Kurse e mbrojnë paratë të cilat i ka dhënë zonjës Sherri dhe z.Rama.

A e kupton përfaqësuesi këtu i forcës tjetër se kë përfaqëson? A e kuptojnë qytetarët se ai përfaqëson një ministre, e cila është nga më abuzivet? A kupton ai se përfaqëson një kryeministër, një parti e cila ka vendosur mbi shqiptarët tiraninë e tmerrshme të varfërisë. Ku shkojnë shqiptarët? Pse ikin shqiptarët? Pse nga Libohova janë larguar 40% e banorëve të saj? Pse nga Shqipëria janë larguar 35% e banorëve? Shkaku është një dhe vetëm një varfëria, dhe tirania e varfërisë”, tha Sali Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re