Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi sot në Kryesinë e Kuvendit një takim me krerët e komuniteteve fetare.

Në takim ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Asti, Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Ergest Biti.

Kryetarja Spiropali nënvizoi se me rastin e Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është e rëndësishme të diskutojmë jo vetëm për lirinë e besimit, si një e drejtë e garantuar në Shqipëri, por edhe për rolin e komuniteteve fetare në garantimin e të drejtave të tjera themelore të qytetarëve, duke kontribuar për ndërtimin e një shoqërie më të mirë, më njerëzore, më të drejtë.

Në këtë takim Spiropali foli edhe për gjuhën që parlamentarët përdorin në Kuvend.

Ajo tha se gjuha e dhunës, denigrimit dhe urrejtjes është e papranueshme në Parlament dhe në shoqërinë tonë.

Më tej kryetraja e Kuvendit tha se mirëkuptimi dhe toleranca fetare duhet të shërbejë edhe si një faktor i kohezionit politik dhe si një model prej të cilit politikanët e parlamentarët shqiptarë duhet të mësojnë.

Elisa Spiropali: Mozaiku fetar është një ndër pasuritë më të çmuara të Shqipërisë. Mirëkuptimi dhe harmonia fetare janë një referencë e rendësishme për Shqipërinë, e cila tashmë njihet botërisht si shtëpia e përbashkët e besimeve dhe komuniteteve fetare, dhe ofrohet si shembull e model edhe për vendet e tjera.

Mirëkuptimi dhe toleranca fetare shërbejnë edhe si një faktor i kohezionit social të shoqërisë.  Por duhet të shërbejnë edhe si një faktor i kohezionit politik dhe si një model prej të cilit politikanët e parlamentarët shqiptarë duhet të mësojnë.Gjuha e dhunës dhe urrejtjes është e papranueshme në shoqërinë tonë.

Bashkëpunimi i Kuvendit me institucionet dhe komunitetet fetare duhet të ketë në fokus forcimin e infrastrukturës sociale të shoqërisë, fuqizimin e familjes dhe shëndoshjen e marrrëdhënieve familjare, ofrimin e shërbimeve sociale, njerëzore, arsimore, kulturore dhe eduktive, në luftën kundër dhunës në shoqëri e në familje, mbështetjen e familjeve dhe qytetarëve në nevojë etj. Ky bashkëpunim duhet të ketë në qendër familjen, njeriun dhe qytetarin.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re