CEO i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk është ndër personat e fundit që janë bashkuar me nismën #DeleteFacebook.
Në përgjigje të një pyetjeje nga një përdorues i Twitter për fshirjen e faqes së SpaceX në Facebook, Musk u përgjigj të premten: “Unë nuk e dija se ekzistonte një e tillë, por po do ta bëj”.
Ai më pas fshiu edhe faqen e SpaceX, ashtu si dhe faqen e Tesla.
Hashtagu në Twitter #DeleteFacebook vjen si një kundërpërgjigje ndaj lajmit se firma analitike e të dhënave Cambridge Analytica ka arritur të aksesojë të dhënat e miliona përdoruesve të Facebook dhe dyshohet se i ka përdorur këto të dhëna për të ndikuar në rezultatet e garës presidenciale amerikane në vitin 2016 në favor të Donald Trump.
Një këshilltar i Shtëpisë së Bardhë në SHBA të premten i kërkoi CEO të Facebook Mark Zuckerberg që personalisht të dëshmojë në një dëgjesë të ardhshme rreth politikave të Facebook-ut mbi të dhënat e përdoruesit. Kjo pasoi me një falje nga Zuckerberg gjatë së enjtes në lidhje me incidentin e të dhënave.
Më vonë në Twitter, Musk shpjegoi se pse ai do të vazhdojë të qëndrojë në Instagram edhe pse rrjeti social është pronë e Facebook.
Sipas tij ai do të vazhdojë të përdorë Instagram për sa kohë ai qëndron i pavarur.Facebook nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës për koment. /
