Këtë ditë të bekuar të Fitër Bajramit, 150 familje të Thumanës do të marrin çelësat e shtëpive të tyre. Është një ditë e bekuar por edhe një gëzim i madh, teksa Elvis Naçi tregoi në ceremoninë e përurimit se shqiptarët i dolën në krah atyre që ishin në nevojë, atyre që humbën familjarët në atë ditë të tmerrshme të 26 nëntorit.

Elvisi rrëfeu se Fondacioni Firdeus dhe Shqiptarët për Shqiptarët kanë qenë në këmbë dhe në ballë të një maratone bamirësie që përbashkoi qindra mijëra shqiptarë.

“Vëllezër e motra që jeni prezentë këtu në Thumanë, në këtë Fitër Bajram, ju begatoftë i madhi Zot. Faleminderit që jeni me ne, për të parë e gëzuar një vepër që shqiptari ka bërë për shqiptarin. Në kohën që qeveria shqiptare përuronte 270 banesa, qëlloi koha e Krishtlindjeve. Sot, është Bajram. Pse e them këtë? Sepse ata të cilët besojnë në Zot, pasi ia bëjnë adhurimin Zotit të gjithësisë, nuk kanë asnjë rol tjetër, asnjë qëllim tjetër, por vetëm brenda mundësive, gjithsecili duhet të jetë afër atij që është në nevojë, të shikojë të varfrin, jetimin. Ky është mesazhi i të gjitha feve.

Kur ra tërmeti, të gjithë ishin në gjumë. Tërmeti i zgjoi ëndrrat e gjithsecilit… Por në fakt kur u zgjuam, u hapën disa ëndrra të tjera, që ata që u dëmtuam, ne t’i gjendeshim afër. Thumana pa frikë e them, është bërë një Zvicër e vogël.

Veprat tona, ngjarjet tona, kurrsesi nuk janë të rastësishme. Profeti Ibrahim, dikur thoshte që ai që më krijoi në formën më të bukur, ai më udhëzon. Sot nuk jemi rastësisht këtu në Thumanë, janë një udhëzim…

Tërmeti nuk na ndaloi dot. Ai tmerr që ndodhi na dha më shumë fuqi, për të nisur një mision shumë më të madh. Të martën ra tërmeti, të mërkurën ishim këtu, të enjten shkuam në Kosovë e nisëm maratonën e bamirësisë, një maratonë që pasha të Madhin Zot, zemra nuk ma ka kuptuar, e mendja nuk ma ka kuptuar, që shqiptarët për Thumanën kishin dhuruar 9 milionë e 50 mijë euro. Kam kërkuar, a ka patur ndonjë vend të botës që të ketë bërë këtë maratonë të madhe bamirësie. Nuk kam parë. Vetëm një tërmet ishte më i fortë, tërmeti i bamirësisë së shqiptarëve.

Ne pritëm me durim, e shpesh herë edhe me kosto. Kishte njerëz që na thonin pse nuk i bëni shtëpitë, por ne donim që të krijonim një model. Pritëm me durim derisa u bë e gjithë infrastruktura, derisa u bënë shpronësimet. Disa thonin ku janë shtëpiat, por nuk u përgjigjëm, pasi ne fuqizohemi nga një ajet i Kuranit i cili thotë bëj vepra të mira, largohu nga të këqijat e shmangiu të paedukuarve. Ne shkojmë më lart sesa kjo, e themi, vëllezër e motra të Thumanës, t’i gëzoni shtëpitë e juaja.”-tha Elvis Naçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re