Këtë mbrëmje në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, po përcjellim për publikun një dokumentar mbi Thumanën… nga rrënojat e tërmetit, tek mrekullia e shqiptarëve bamirës.

Por si erdhëm deri këtu?

Elvisi kujton momentet kur shkoi për herë të parë në Thumanë. Kaosi, dhimbja e vuajtjet e shumta i mbushën mendjen se “Shqiptarët për Shqiptarët” e Fondacioni Firdeus do të duhej të bënin diçka.

“Nga lajmet që pamë, kuptuam se Thumana e Durrësi isin dëmtuar më së shumti. Miq e shokë atë ditë që ra tërmeti, më parë kishin shkuar në Thumanë e më thanë ‘bëj një vizitë atje sa më shpejt, do shohësh një situatë shumë të vështirë’. E me të vërtetë, shkova atë ditë. Sapo u ballafaqova, aty kishte ambulanca, policia, një situatë kaotike. Viktima kishte ende nën rrënoja… aty mund të them që lindi ideja për të dhënë një kontribut në Thumanë, isha i paqartë se sa dhe si… por mendoj se ky ishte sebepi kryesor që u fokusuam në Thumanë dhe deshëm të japim një kontribut për këtë vend.”-tregoi Elvisi.

“O vëlla do bëjmë Thumanën” Sidrit Bejleri kujton bisedën me Elvisin pas tërmetit të nëntorit

Sidrit Bejleri ndërkohë na tregoi bisedën e parë mes tij e Elvisit, pas tërmetit që shkundi mbarë Shqipërinë.

“Më thotë, do bëjmë Thumanën vëlla… kjo fjala, mu duk si tre mijë vite larg. Thumana ishte shkatërruar totalisht. Përveç njerëzve që kishin ndërruar jetë, vetë ishte bërë rrafsh, ishte vetëm një ngrehinë e shkatërruar totalisht. Sa u tha do të bëhet, nisi thirrja”-tregoi Sidriti.

E me të vërtetë, pas një maratone të gjatë bamirësie, sot mund të themi me plot gojën se Thumana është një realitet i prekshëm, një ëndërr e bërë e mundur vetëm falë bamirësisë së qindra mijëra zemrave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re