Pavarësisht kundërshtimit masiv nga ana e studentëve të Universitetit të Mjekësisë, projektligji i qeverisë për punësimin e detyruar të mjekëve fill pas studimeve, i prezantuar këtë të mërkurë, u fut të nesërmen në Kuvend me procedurë të përshpejtuar dhe pritet të miratohet në seancën e 20 korrikut.

Dokumenti që mban peng studentët duke parashikuar si kusht punësimin për dy deri në pesë vite pas shkollimit, pritet të miratohet brenda këtij muaji dhe të hyjë në fuqi përpara datës 2 tetor kur nis viti i ri akademik.

Ai prek jo vetëm studentët që do të aplikojnë për mjekësi të përgjithshme, por edhe ata që po ndjekin aktualisht studimet. Kushti i beftë do të derdhë sot në rrugën përpara Kuvendit ata që pritet të veshin bluzat e bardha me paralajmërimin për të bojkotuar studimet në rast se qeveria nuk tërhiqet nga kjo incentivë.

“JO PENGMARRJES SE DIPLOMES”

Gjatë kohës që në Kuvend flitej mbi projektligjin, studentë të mjekësisë, të veshur me bluzat e bardha, protestuan me pankarta në duar drejtuar qeverisë: “Edhe Hipokrati po të ishte gjallë do të bënte gati letrat për në ambasadë”; “Eksod deputetësh? Rritje pagash me 87%” ; “Eksod Mjekësh? Rritje pagash me 7 %”; “Nuk është prona jote diploma ime”; “Lirinë nuk e solla unë, por as mes jush nuk e gjeta”; “Mos ndryshoni rregullat në mes të lojës”. “Diploma ime nuk është prona jote”, thuhej në njërën prej tyre, me bindjen se ky projektligj cenon të drejtën dhe lirinë e të rinjve.

“Unë nuk dua të largohem, por nuk dua që punësimi im të jetë i detyruar aty ku do shteti. Po na merret peng diploma. S’mund të jemi peng i shtetit dhe të duhet të shkojmë atje ku na caktojnë. Kjo do të thotë që kthehemi pas në kohë dhe nuk jemi më në demokraci”, u shpreh një studente e mjekësisë. Studentët kërkojnë tërheqjen e pr/ligjit ose paralajmërojnë bojkot të studimeve.

“Nëse shohim që ky pr/ligj do të bëhet ligj për 15 ditë, jemi gati të shkojmë drejt bojkotit të vitit të ardhshëm. Nuk mund të jemi dakord për pengmarrjen. Po shkojmë para Kuvendit pasi ata po marrin vendime pa na pyetur ne. Ky pr/ligj nuk është diskutuar me ne”.

Të bindur që po përdoren si kavje eksperimentale, rreth orës 10:30 studentët e Mjekësisë u mblodhën para rektoratit të UMT-së për të vijuar më pas marshimin drejt Kuvendit e më pas drejt Ministrisë së Arsimit dhe Parlamentit.

Qeveria ka ndërmarrë një nismë ligjore, me të cilën thotë se ka qëllim plotësimin sa më parë të nevojave për mjekë që ka vendi si dhe në sigurimin e ofrimit të shërbimit shëndetësor për periudhat në vijim.

Sipas pr/ ligjit, studentëve aplikantë në Mjekësi, por dhe ata që janë në vijim të studimeve, u ofrohet mundësia të firmosin një marrëveshje, në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 2– 5-vjeçare pas diplomimit. Nëse ata pranojnë ta firmosin marrëveshjen, do të përjashtohen nga tarifat e shkollimit gjatë gjithë studimit, gjithashtu do të kenë dhe disa përfitime të tjera sociale.

“TRAJTIMI I VECANTE”

Kështu e ka cilësuar projektligjin për punësimin e detyruar, ndërkohë që të rinjtë e shohin veten të privuar. Përmes dokumentit në fjalë, qeveria i miklon studentët e Mjekësisë edhe me përfitime të tjera nga kjo marrëveshje detyruese, siç është përfshirja e tyre në programet sociale të strehimit.

Duke përdorur terminologjinë “Trajtimi i veçantë” dhe “Punësim me prioritet”, në fakt projektligji parashikon klauzola detyruese për gjithë studentët e rinj dhe për ata që janë aktualisht duke ndjekur studimet.

Nëpërmjet marrëveshjeve qeveri-student, kandidatët për degën “Mjekësi e Përgjithshme” do të duhet të bien dakord që diplomën ta tërheqin vetëm pas përmbushjes së kushtit të punësimit jo më pak se 5 vite në sistemin shëndetësor shqiptar pas përfundimit të studimeve.

Detyrimi për punësim përfshin sektorin publik dhe atë privat. Këshilli i Ministrave argumenton se masat e ndërmarra nxiten nga interesi publik për të garantuar plotësimin e nevojave për burime njerëzore në kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik.

“Dispozitat që përcillen përmes këtij projektligji janë hartuar në përputhje me nevojat e diktuara në vend për përmbushjen e këtij interesi të lartë publik”, thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit.

DEBATET NE KUVEND

Projektligji për studentët e mjekësisë, të cilët nuk mund të diplomohen nëse nuk shërbejnë për pesë vite në Shqipëri, u shoqërua me debate të forta mes opozitës dhe maxhorancës.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, theksoi se ky projektligj duhet të miratohet me proces të përshpejtuar, për shkak të nisjes së regjistrimeve për vitin e ri akademik. Opozita kundërshtoi këtë projektligj, duke thënë se kjo masë është ekstreme dhe shkel të drejtat e studentëve. Këta të fundit po protestojnë kundër këtij vendimi që i kushtëzon për t’u larguar nga vendi.

Nga ana tjetër, maxhoranca thekson se kjo është masa e duhur për të përmbushur nevojat e vendit në sektorin e shëndetësisë. Deputetja e PD-së, Flutura Açka që në nisje të seancës theksoi se kjo është një masë e nxitur dhe ekstreme.

Sipas Açkës, ky projektligj nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe shkel të drejtat e njeriut.

“Është një masë drastike. Nuk është konsultuar me grupet e interesit. Nuk ka pse të vijë në parlament me kaq nxitim. Gjëja e parë që ndodh është shkelja e të drejtave të njeriut dhe është e papranueshme që në të vendosim me dhunë pa krijuar mundësinë që pse i marrim këto masa. Jam për të marra masa që fëmijët mos të na ikin por jo me këtë forma absurde. E shoh pavend që ta kaloni me kaq nxitim këtë masë drastike ekstreme”, tha Açka.

Qëndrimi i Açkës ka marrë përgjigje nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i cili e cilëson projektligjin si të duhurit për t’iu përgjigjur nevojave të vendit në sektorin e shëndetësisë. Ai thekson se është detyrim publik i të diplomuarve që t’iu shërbejnë qytetarëve që kanë paguar taksa për formimin e tyre profesional.

Lidhur me shkeljen e të drejtave, Balla thekson se studentët kanë të drejtë zgjedhjeje, pasi nëse nuk duan të kushtëzohen mund të paguajnë tarifën e plotë. Pavarësisht kundërshtimit dhe protestës së studentëve të mjekësisë në sheshin e Kuvendit, p dhe pritet të miratohet nga shumica socialiste brenda korrikut, duke hyrë në fuqi në vjeshtë kur nis viti i ri akademik.

Kjo i vë studentët para faktit të kryer, të nënshkrimit ose jo të një marrëveshje për të punuar 2-5 vjet në Shqipëri pas kryerjes së studimeve. Opozita ishte në krah të studentëve, duke theksuar se mjekët nuk mund të mbahen me forcë dhe reforma të tilla të nxituara nuk kanë rezultat.

“Një mijë e 200 mjekë janë larguar dhe më në fund qeveria po e sheh se ka një situatë dramatike, për sa i përket shifrave të largimit të mjekëve nga Shqipëria, po kjo nuk ndryshohet me forcë. Edhe reforma e arsimit të lartë, që u bë me forcë dhe pa dëgjuar palët, po shihet si dështoi. Sot universitetet publike janë në situatën e tyre më të keqe”, tha deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.

Ndërsa deputetët socialistë theksuan se me këtë projekt-ligj synohet arritja e normën europiane 3.5 mjekë për një mijë banorë, ndërsa Shqipëria është ende larg kësaj norme, krahasuar edhe me vende të rajonit. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha se Shqipëria nuk i arrin dot pagat e larta të vendeve të tjerë, por ne duhet të garantojmë shëndetin publik, deri sa studimet vazhdojnë me fonde publike.

Largimi i mjekëve nga Shqipëria është përshkallëzuar vitet e fundit, në vendet e BE-së, kryesisht drejt Gjermanisë dhe Italisë.

Ekspertë të pavarur vlerësojnë se shkak i këtij “largimi të trurit” nga vendi është sistemi i pareformuar dhe i keqfinancuar shëndetësor, ndërsa mjekët punojnë në kushte të papërshtatshme. Kushtet e dobëta ekonomike dhe lufta e pakët ndaj korrupsionit renditen prej tyre ndër faktorët e emigrimit të mjekëve.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re