Gjendja e emergjencës shëndetësore është çdo situatë e papritur që rrezikon jetën, integritetin dhe shëndetin e shtetasve ose që cenon funksionimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor

Për gazetën “Shëndet+” dhe shendeti.com.al, Lulzim Çela, kardiolog pranë Shërbimit të Urgjencës së Kardiologjisë, QSUT

“Urgjenca mjekësore” është një dëmtim ose sëmundje akute që përbën një rrezik  të menjëhershëm të jetës së personit apo të shëndetit të mëtejshëm të tij.

Urgjenca mjekësore siguron shërbim urgjent për të gjithë qytetarët. Në urgjencën e kardiologjisë trajtojmë urgjenca të cilave u ofrohet shërbim optimal, nga një staf shumë i specializuar i cili vepron me profesionalizëm për stabilizimin e gjendjes së pacientit dhe mbajtjen nën vëzhgim deri në stabilizimin e gjendjes dhe transferimin në shërbimet të tjera në varësi të gjendjes klinike apo kthimin në shtëpi pasi gjendja gjykohet përfundimisht e stabilizuar.

Urgjencat kardiovaskulare janë çrregullime të rrezikshme për jetën, të cilat duhet të njihen menjëherë në mënyrë që të shmangen vonesat në trajtim, si dhe për të minimizuar sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë.

Gjendja e emergjencës shëndetësore është çdo situatë e papritur që rrezikon jetën, integritetin dhe shëndetin e shtetasve ose që cenon funksionimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor.

Shërbimi i urgjencës mjekësore përfshin kujdesin klinik e paraspitalor në situatat kur shtetasi është në rrezik. Nevoja për shërbimin e urgjencës mjekësore përfundon me stabilizimin e gjendjes shëndetësore të pacientit ose me pranimin e tij në spital.

Arresti kardiak

Në disa raste një komplikacion i quajtur aritmia ventrikulare bën që zemra të kalojë në spazmë dhe ndalon së rrahuri. Kjo gjendje njihet si arresti kardiak i menjëhershëm. Një arrest kardiak ndodh kur rrahja mekanike e zemrës ndalon papritur dhe ky është rast urgjent, sepse vdekja ndodh nëse nuk ndërhyhet brenda pak minutave. Arresti kardiak nuk është infarkt, edhe pse mund të çojë në një të tillë. Infarkti shkaktohet nga një arterie e bllokuar që ndërpret furnizimin me gjak të muskulit të zemrës. Kjo nuk është domosdoshmërisht vdekjeprurëse.

Arresti kardiak ndodh kur ritmi i zemrës ndërpritet. Shansi për të mbijetuar është më pak se 6 për qind kur ndodh jashtë mjedisit të spitalit. Ndaj edhe qyetarët e thjeshtë duhet të jenë të informuar rreth disa teknikave sesi të jepet ndihma e parë. Pra si të japin frymëmarrjen artificiale që ta bëjnë zemrën të fillojë përsëri të punojë.

Manovrat ringjallёse pёrfshijnё manovrat bazë tё suportit tё jetёs (BLS), tё cilat aplikohen menjёherё. Qёllimi i BLS-së ёshtё qё tё sigurojë ventilacionin e emergjencёs dhe perfuzionin sistemik nёpёrmjet ringjalljes zemёr-mushkёri (CPR). Pёrcaktohet personi nёse nuk ka vetёdije.

Simptomat që paralajmërojnë një goditje në zemër janë:

  • Dhimbje gjoksi
  • Ndjesi presioni në gjoks
  • Kur dhimbja fillon të përphapet edhe në krah, nofull
  • Marrje mendsh
  • Djersitje
  • Marrje fryme
  • Ndjesi të vjelli ose të vjella
  • Ndjenjë paniku
  • Kollitje e vështirë.

Krizat hipertensive

Shenjat më të shpeshta klinike që ankojnë këta të sëmurë janë :

  • Dhimbja e kraharorit
  • Vështirësia në frymëmarrje
  • Deficiti neurologjik.

Midis ankesave kardiake më të shumtat kanë të bëjnë me anginën e kraharorit të paqëndrueshme, infarktin akut të miokardit dhe edemën mushkërore akute. Ankimet neurologjike kanë të bëjnë me infarktin ose hemoragjinë cerebrale, dhimbje koke okcipitale, vjellje, konfuzion mendor, konvulsione dhe retinopati me edemë papilare.

Më së pari duhet vendosur se kemi të bëjmë me një EMERGJENCE apo URGJENCË HTA (hipertensioni arterial) mbi bazën jo vetëm të vlerave të larta të TA (tensioni arterial), por dhe mbi bazën e pranisë ose jo të shfaqjeve të prishjes funksionale progresive të organit në shënjestër. Së dyti, gjendja duhet dalluar nga HTA dytësor, nga masat intrakraniale, traumat e kokës, epilepsia, vaskuliti cerebral nga sëmundjet e indit konjunktiv, si lupusi, si dhe nga anksieteti akut dhe krizat e panikut.

Mjekimi i emergjencës HTA

Pacientët me emergjencë HTA duhen dërguar urgjentisht në spital. Menjëherë të fillohet mjekimi nën monitorim të aktivitetit kardiak. Gjithashtu, duke bërë vlerësimet neurologjike e renale. Pikësynimi i mjekimit është ulja e TA mesatar në masën jo më shumë se 25% brenda minutash ose 1 orë. Më pas, nëse gjendja është e qëndrueshme, mund të tentohet ulja e mëtejshme e TA deri në 160/110-100 mmHg brenda 2 deri 6 orësh.

Duhet shmangur me doemos ulja e tepruar e TA për të mos përkeqësuar perfuzionimin e organit në shënjestër të dëmtuar. Kur gjendja e përmirësuar e të sëmurit mbetet klinikisht e qëndrueshme dhe nëse tolerohet gjatë 24- 48 orëve të ardhshme, TA mund të shtyhet drejt nivelit normal. Është e kuptueshme që terapia duhet zgjedhur  në pajtim me organin në shënjestër të dëmtuar dhe me sëmundjet bashkekzistuese.

Mjekimi i urgjencës HTA

Pacientët me URGJENCË HTA mund të mjekohen në shtëpi. Nuk është e detyrueshme që ata të shtrohen në spital. Ato mund të përfitojnë nga përdorimi i barnave hipotensive me veprim të shkurtër. Pikësynimi i mjekimit është ulja e TA deri në masën 25% të TA mesatar brenda 24 orësh, korrigjimi i mjekimit të mëparshëm ose fillimin e mjekimit nëse ai ka qenë i pamjekuar.

Një i sëmurë i tillë duhet rishikuar brenda 3-5 ditësh për të rishikuar mjekimin nëse del e nevojshme. Pacientët me dëmtim të organeve në shënjestër duhen drejtuar për konsultim te specialistët përkatës.

  • Urgjenca: 127
  • Urgjenca (për Tiranën): +355 4 2222235

Shërbimi i Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme

  • Spitali i Urgjencave, QSUT: +355 4 2349178
  • Shërbimi i Urgjencës Pediatrike, QSUT: +355 4 2349444
  • Shërbimi i Urgjencës Kirurgjikale, QSUT: +355 4 2349336
  • Urgjenca e Sëmundjeve Infektive, QSUT: +355 4 2349258
  • Operatori i Centralit të telefonisë, QSUT: +355 4 2349499

Botuar Qershor, 2016

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re