Bashkia e Elbasanit ka përfunduar procesin e përzgjedhjes së 18 administratorëve të njësive administrative, pas dorëheqjeve të përgjithshme të kërkuara nga Kryeministri Rama.
Procesi tërhoqi mbi 400 aplikime për të plotësuar vendet vakante, duke treguar interesin e lartë të qytetarëve për t’u angazhuar në administratën lokale.
“Ka qenë një proces i hapur ku kanë aplikuar mbi 436 qytetarë që kanë shprehur interes të jenë pjesë në këtë proces”, shprehet Gledian Llatja, kryetar i Bashkisë Elbasan.
Aplikantët u testuan me shkrim dhe komunikim me gojë në lidhje me aftësitë e tyre drejtuese, njohjen e zonave përkatëse, problematikave të tyre, por edhe për aftësitë në risitë teknologjike që tashmë ofron pushteti vendor.
“Për administratorët është zhvilluar konkursi me shkrim i cili kryesisht ka pasur të bëjë me specifikat për njohjen e problematikeve me zonën. Dhe konkursi me gojë ku janë parë aftësitë e tyre komunikuese dhe përgjegjësia që ata kanë. Kjo erdhi edhe si pasojë që kishin një pjesë e administratorëve për tu përshtatur me teknologjinë pasi janë shtuar shërbimet online”, shton më tej Llatja.
Sipas kryetarit të Bashkisë administratorët duhet të tregojnë vëmendje ndaj çdo problematike të komunitetit dhe të punojnë për promovimin e zonave të tyre sipas përparësive që ato kanë qofshin bujqësore apo turistike.
