Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka depozituar kërkesën në Kuvend për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama.

Në shkresën e depozituar, Bardhi akuzon Raman se ka emëruar si këshilltar të jashtëm Florian Coldea, ish drejtor i Shërbimit Sekret Rumun.

Sipas tij, Coldea është nën hetim për korrupsion, si dhe është referuar si drejtuesi i një linje trafiku ndërkombëtar të kokainës, që transportohej nga Meksika në Shqipëri dhe më pas nga Shqipëria në Rumani.

Deklarata e Bardhit:

Edi Rama pa asnjë transparencë ka emëruar si këshilltar të jashtëm Florian Coldea, ish drejtor i Shërbimit Sekret Rumun. Ish agjenti sekret rumun është nën hetim për korrupsion, si dhe është referuar si drejtuesi i një linje trafiku ndërkombëtar të kokainës, që transportohej nga Meksika në Shqipëri dhe më pas nga Shqipëria në Rumani.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kam kërkuar zyrtarisht një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, i cili duhet të bëjë transparencë për Kuvendin dhe qytetarët shqiptar: (1) Si është njohur me këshilltarin e tij të jashtën Coldea dhe a ka cënuar kjo sigurinë kombëtare për shkak të funksionit të tij si punonjës i shërbimeve të huaja sekrete; dhe (2) Cili ka qenë roli i z. Coldea dhe çfarë veprimtarie këshillimi konkretisht ka kryer ai për Kryeministrin e Shqipërisë dhe për të cilën është paguar më taksat e shqiptarëve, ndërkohë që udhëhiqte një linjë të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Shqipëria në Rumani.

Është rastësi e shumëfishtë që në çdo aferë të organizatave kriminale, përfshirë krimin e organizuar ndërshtetëror, përfshihen lidhje personale apo institucionale të Edi Ramës, ndërkohë që ky i fundit hesht. Por nuk është asfare rastësi që në qeverisjen 11 vjecare të Edi Ramës, krimi i organizuar jo vetëm është fuqizuar, por ka përfaqësues të tij në çdo institucion. Shqipëria, një vend kandidat për anëtarësim në BE dhe një vend anëtar i NATO-s, nuk meriton të qeveriset nga krimi i organizuar.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të kërkojë edhe zyrtarisht nga SPAK të hetojë rolin e Këshilltarit të Jashtëm të Edi Ramës në Shqipëri dhe sesi ka ndikuar marrëdhënia e tij me Edi Ramën për realizimin e veprimtarive të dyshuara kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Meksika në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Rumani

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re