24 orë nga nënshkrimi i marrëveshjes mes dy kryeministrave të Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e një kampi refugjatësh në Shëngjin dhe në Gjadër të Lezhës, ajo ende nuk është bërë publike.

 

Dokumenti i plotë i nënshkruar nga Giorgia Meloni dhe Edi Rama mbetet i panjohur përveç deklaratave të bëra nga dy krerët e qeverive.

 

I vetmi i informacion zyrtar, por edhe ai shumë i kufizuar mbi marrëveshjen është bërë në faqen e Agjencisë për Media dhe Informim.

 

Në Facebook,  zyra e shtypit e kryeministrit publikoi disa prej neneve që përmban marrëveshja që do të strehojë me mijëra refugjatë në vendin tonë.

 

Sipas nenit 9 të publikuar nga MIA, afati maksimal i qëndrimit të një emigranti të paligjshëm nuk do të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit apo mbrojtjes. Dhe kjo kohë është jo më shumë se 28 ditë.

 

Përmes nenit 4 thotë zyra e shtypit të kryeministrit garantohet që numri i refugjatëve që do të qëndrojnë në të njëjtën kohë në kamp, nuk do të jetë më shumë se 3 mijë.

 

Në pjesëzat e marrëveshjes së publikuar është parashikuar që përveç se të dyja strukturat për emigrantët e paligjshëm do të ndërtohen me paratë e Italisë, Roma zyrtare do të përballojë përveç atyre shëndetësore edhe çdo shpenzim tjetër të paparashikuar që mund t’i vijë autoriteteve shqiptare.

 

Një ditë pas hedhjes së firmave në këtë dokument ende të papublikuar zyrtarisht dhe për të cilin mediat italiane shkruajnë se marrëveshja është arritur në gusht kur Giorgia Meloni pushoi për disa ditë në Vlorë dhe u takua me Edi Ramën, kryeministrja italiane thotë për “Il Messaggero” se për këtë çështje është vënë në dijeni Komisioni Evropian.

 

GIORGIA MELONI

KRYEMINISTRE E ITALISE

 

Ne e informuam Komisionin Evropian pa shkaktuar ndonjë çështje kritike. Në të vërtetë, unë besoj se mund të bëhet një model bashkëpunimi midis vendeve të BE-së dhe vendeve jo-BE për menaxhimin e flukseve migratore. 

 

Ndërkohë mediat evropiane shkruajnë se Bashkimi Evropian i ka kërkuar qeverisë në Romë një informacion më të detajuar për marrëveshjen të cilësuar shumë të diskutueshme të nënshkruar me Shqipërinë.

 

Nga ajo që është deklaruar deri më tani publikisht se refugjatët që do të strehohen në vendin tonë do të jenë ata që do të kapen në brigjet e Italisë e kryesisht në Lampeduza.

 

Nga dërgimi i tyre në kampin e Shëngjinit do të përjashtohen gratë shtatzëna, të miturit dhe personat vulnerabël. Numri i atyre që parashikohet të vijnë brenda një viti është 36 mijë. Ata që do të fitojnë azilin do të kthehen në Itali, ndërsa atyre që do tu refuzohet do të qëndrojnë në Shqipëri deri në riatdhesimin e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re