Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, u vu nën kritika të martën pasi i quajti emigrantët që kalonin La Manche-n me gomone si një “pushtim”.

Ajo e përdori këtë term duke mbrojtur kushtet në Qendrën për Përpunimin e Emigrantëve të sapoardhur, ku pothuajse 4000 njerëz jetojnë në një objekt të projektuar për 1600 persona, raporton AP.

Të hënën, Suella Braverman i quajti kalimet e emigrantëve me varka të vogla “një pushtim të bregdetit tonë jugor” dhe tha se “imigrimi i paligjshëm është jashtë kontrollit”.

Zëvendësi i saj dhe ministri për Strehimin, Komunitetet dhe Pushtetin Lokal Robert Jenrick u distancua nga fjalët e saj.

“Në një pozicion si ky ju duhet të zgjidhni fjalët tuaja me shumë kujdes. Dhe kurrë nuk do të demonizoja njerëzit që vijnë në këtë vend në kërkim të një jete më të mirë”, tha Jenrick.

Kryeministri Rishi Sunak, i cili emëroi Suella Braverman pasi mori detyrën javën e kaluar, tha në një takim të kabinetit se Mbretëria e Bashkuar “do të jetë gjithmonë një vend i mëshirshëm dhe mikpritës”.

Kujtojmë se ndër shumë emigrant që mësyjnë Britaninë e Madhe, pikërisht me gomone, janë shqiptarë. Këta të fundit madje janë bërë dhe lajm me dyndjen e tyre drejt brigjeve të ishullit të madh europian.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re