Kryeministri Edi Rama ka akuzuar sekretaren e brendshme të Britanisë së Madhe për nxitje të ksenofobisë.

 

Gjatë një interviste të dhënë për “BBC Newsnight”, kreu i qeverisë i cilësoi si të pamenduara komentet e sekretares Suella Braverman për çështjen e refugjatëve.

 

Ai shtoi se fajtor për valën e emigrimit në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë shqiptarët dhe se qëndrimet e sekretares për “pushtim” përfaqësojnë gjuhën e urrejtjes.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

“Kjo lloj gjuhe nuk është politikë, nuk është program, nuk është vizion. Është vetëm nxitje e ksenofobisë dhe synimi, veçimi i një komuniteti. Unë admiroj çdo gjë që përfaqëson Britaninë. Por me të vërtetë jam i neveritur rreth kësaj politike që në fund është e destinuar të dështojë”

 

Sipas Ramës, qeveria britanike po përpiqet të shfajësohet, pasi ka dështuar me politikat e emigrimit. E për këtë arsye tha Rama, ajo po kërkon koka turku.

 

“Nuk është për një person. Ka të bëjë me klimën që është krijuar dhe që kërkohen koka turku apo të fajësohen të tjerët. Nuk ka të bëjë me shqiptarët, të huajt, apo gangsterët, por është për politikat e dështuara për kufijtë dhe kriminalitetin.”

 

Të njëjtin problem me emigrantët, tha kryeministri, e ka pasur para disa viteve dhe Gjermania, e cila sipas tij arriti ta zgjidhte përmes politikave bashkëpunuese me qeverinë shqiptare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re