Një shtetas maroken që dyshohet se ka hyrë ilegalisht në Shqipëri mendohet se është mbytur në ujrat e lumit Buna në Shkodër, në rrethana akoma të paqarta. Policia e Shkodrës njoftoi se ngjarja ndodhi pasditen e të premtes ndërsa ajo ishte njoftuar rreth orës 15.40 se “në fshatin Darragjat, Njësia Administrative Dajç, bashkia Shkodër, dyshohet se  aksidentalisht  është mbytur në Lumin Buna, shtetasi R. M. 35 vjeç, nga Maroku”.

Kanë qenë banorë të zonës që kanë lajmëruar policinë pasi kanë dëgjuar thirrjet për ndihmë të shokut të 35 vjeçarit, edhe ai shtetas maroken. Nuk dihet se si dy shtetasit maroken kanë shkuar deri në fshatin Darragjat. Shoqëruesi i viktimës ka dëshmuar se ato  ishin me leje qëndrimi në Francë dhe kanë ardhur në Shkodër pasi do vazhdonin më tej drejt Malit të Zi. Ai ka pohuar sipas policisë se shoku i tij ka hyrë për të provuar ujin, por e ka marrë rrjedha.

Shërbimet e Policisë të cilat po bëjnë kërkime sëbashku me banorët e zonës për gjetjen dhe nxjerrjen e trupit nga lumi Buna. Rrobat e viktimës janë gjetur në breg aty ku ndodhej  dhe shoku i tij që ka kërkuar ndihmë .Në rrobat e viktimës është gjetur një document leje qëndrimi në Francë, por nuk dihet nëse ajo është e vërtetë apo fallso. Policia bën të ditur se po hetohet dhe punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e trupit.

Numri i emigrantëve që përpiqen të kalojnë në Perëndim përmes Shqipërisë është rritur sëfundmi ndërsa dhjetra prej tyre marshojnë për ditë të tëra nga kufiri me Greqinë drejt Malit të Zi apo Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re