Fondacioni Evropian i Trajnimeve publikoi së fundi një raport duke theksuar eksodin masiv të punëtorëve të kualifikuar, veçanërisht të mjekëve dhe infermierëve.

Referuar rrjetit mediatik të BE-së “Euractiv”, Shqipëria po braktiset nga mjekët. Ne kemi 110 mjekë për 100 mijë banorë, BE-ja ka 384 mjekë. Kjo mungesë u ndje në mënyrë akute gjatë pandemisë COVID-19, me aftësitë spitalore të shtrira deri në pikën e thyerjes. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vënë në dukje gjithashtu, se Shqipëria ka një nga normat më të ulëta të mjekëve në raport me pacientët, në nivel global.

Vitin e kaluar ne regjistruam dhe licensuam 324 mjekë të diplomuar në Universitetin e Tiranës, 31 mjekë të huaj kryesisht italianë, turq e grekë, 8 mjekë shqiptarë, që u diplomuan jashtë dhe u kthyen në Shqipëri, si dhe 22 mjekë të diplomuar nga “Zoja e Këshillit të Mirë”, shprehet Fatmir Brahimaj, President, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë.

Në total janë 385 mjekë të regjistruar dhe certifikuar nga ne për vitin e kaluar 2021.

Për mjekët që ikin jashtë për arsye nga më të ndryshmet, ne japim atë që quhet “Certifikata e Sjelljes së Mirë”. Ky dokument merret jo vetëm kur punësohet jashtë, por edhe për qëllime të tjera, si p.sh. kur frekuenton një klinikë me periudha të shkurtra, apo për të bërë specializime atje. Një mjek nuk mund të vërë këmbë në institucionet e huaja shëndetësore, pa patur nga vendi i origjinës “Certifikatën e Sjelljes së Mirë”. Pra, këto certifikata që lëshojmë ne, nuk nënkuptojnë që këta janë punësuar medoemos.

Ne për vitin e kaluar dhamë 160 “Certifikata të Sjelljes së Mirë”.

Referuar shoqatave europiane, por edhe gjermane të mjekëve, thuhet se gjatë 10 viteve të fundit në Gjermani janë larguar 1500 mjekë shqiptarë.

Fatmir Brahimaj: Ne për këtë dekadë kemi dhënë nën 1000 “Certifikata të Sjelljes së Mirë”. Por kjo shifra 1500, mbase përfshin shqiptarë të tjerë të Maqedonisë së Veriut, Kosovës, pasi në Gjermani deklarohet kombësia, por nuk janë të gjithë shqiptarë nga Shqipëria./ Top Channel