Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Kina bënë thirrje për një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) pasi ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, hyri në oborret e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar përkundër paralajmërimeve për trazira.

Diplomatët thanë se këshilli pritet të mblidhet të enjten.

Vizita shkaktoi dënime të ashpra në mbarë botën, përfshirë edhe SHBA-në, aleatin më të ngushtë të Izraelit, që shprehi shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga çdo veprim i njëanshëm që ka potencial për të përkeqësuar tensionet pikërisht sepse ne duam të shohim të ndodhë e kundërta”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

“SHBA qëndrojnë me vendosmëri për ruajtjen e status quo-së historike në lidhje me vendet e shenjta në Kuds”, theksoi ai, duke shtuar se çdo veprim i njëanshëm që cenon status quo-në është “i papranueshëm”.

Status quo-ja u lejon muslimanëve të kryejnë adhurime në kompleksin Al-Aksa, ndërsa komuniteteve të feve të tjera të vizitojnë vendin.

Al-Aksa për muslimanët është vendi i tretë më i shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, këtë zonë e quajt si Mali i Tempullit, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re