Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar se kanë kapur dhe shkatërruar dy raketa balistike të lëvizjes rebele Huthi që fluturuan mbi këtë vend.

“Mbetjet e raketave balistike të përgjuara ranë në zona të veçanta përreth Abu Dhabit”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë të hënën.

Më tej thuhet se Emiratet janë “të gatshme të merren me të gjitha kërcënimet” dhe se “po merr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur vendin nga të gjitha sulmet”.

Kanali televiziv rebel jemenas Al Masirah njoftoi se lëvizja do të publikojë detaje të një “operacioni më të gjerë ushtarak” kundër Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në orët e ardhshme, mes shqetësimeve për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në rajon për shkak të luftës së gjatë civile të Jemenit.

Për më shumë se gjashtë vjet, huthinjtë e mbështetur nga Irani kanë luftuar në Jemen kundër një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite, pjesë e të cilit janë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ata kryejnë shpesh sulme ndërkufitare me raketa dhe dronë në Arabinë Saudite dhe më 17 janar kryen një sulm të paprecedentë në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve, ku u vranë tre persona.

Media shtetërore saudite raportoi të dielën vonë se një raketë balistike e huthinjve ra në jug të mbretërisë, duke plagosur dy të huaj dhe duke dëmtuar punëtori dhe automjete në një zonë industriale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re