Emiratet e Bashkuara Arabe kanë miratuar ndryshime që mund t’u japin shtetësi investitorëve dhe profesionistëve të shumë fushave, duke përfshirë shkencëtarë, mjekë dhe familjet e tyre, tha qeveria në Abu Dhabi.

“Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe, emirët lokalë, gjykatat dhe këshillat ekzekutivë do të përzgjedhin ata që kualifikohen për nënshtetësi nën kritere të qarta të përcaktuara për secilën kategori”, tha Emiri i Dubait dhe Zv.Presidenti i Emirateve Sheik Mohammed bin Rashed Al Maktoum.

“Ligji lejon marrësit e pasaportave të Emirateve të mbajnë shtetësinë e tyre ekzistuese,” shtoi Shejh Mohammed.

Eshtë e paqartë nëse mbajtësit e rinj të pasaportave do të përfitojnë nga sistemi i mbrojtjes publike. Emiratet e Bashkuara Arabe shpenzojnë miliarda dollarë çdo vit në arsim falas, kujdes shëndetësor, kredi për strehim dhe grante për 1.4 milion qytetarët e saj.

Të huajt në Emiratet e Bashkuara Arabe zakonisht kanë viza të rinovueshme që vlejnë vetëm për disa vjet dhe janë të lidhura me punësimin. Qeveria së fundmi e ka bërë politikën e saj të vizave më fleksibile, duke ofruar vendbanime më të gjata për investitorët, studentët dhe profesionistët.

Vitin e kaluar, qeveria zgjeroi sistemin e saj të “vizave të arta” – e cila jep dhjetë vjet qëndrim në Emiratet e Bashkuara Arabe – për profesionistë të caktuar, të diplomuar dhe të tjerë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re