Emiri i Katarit i tha mbretit të Jordanisë se bastisjet e Izraelit në xhaminë Al-Aksa duhet të përfundojnë së bashku me të gjitha provokimet kundër popullit palestinez, duke shtuar se vendi i tij e mbështet plotësisht Palestinën në rifitimin e të drejtave të saj legjitime.

Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani dhe Mbreti Abdullah II patën një bisedë telefonike rreth incidentit të fundit në Xhaminë Al-Aksa si dhe tensioneve në rritje në zonë, njoftoi Agjencia e Lajmeve të Katarit (QNA).

Al Thani përsëriti se vendi i tij mbështet çështjen palestineze dhe të gjitha të drejtat legjitime të popullit palestinez, duke përfshirë të drejtën për lirinë e adhurimit dhe për themelimin e shtetit të tyre të pavarur, kryeqyteti i të cilit është Kudsi Lindor, bazuar në kufijtë e vitit 1967.

Mbreti i Jordanisë foli gjithashtu me telefon të hënën me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, sipas mediave jordaneze, duke vlerësuar zhvillimet e fundit në arenën palestineze dhe pasojat e tyre negative në paqen dhe sigurinë rajonale dhe botërore.

Mbreti jordanez, i cili paralajmëroi se praktikat e njëanshme izraelite në territoret palestineze do të minonin shanset për arritjen e një zgjidhje me dy shtete dhe paqes gjithëpërfshirëse, gjithashtu refuzoi plotësisht dëmtimin e statusit historik dhe ligjor të Kudsit.

Ai theksoi se të gjitha përpjekjet për të ndarë Xhaminë Al-Aksa në kohë dhe hapësirë ​​midis muslimanëve dhe hebrenjve janë të dënueshme dhe të papranueshme.

Duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së besimtarëve në xhami, Mbreti i Jordanisë tërhoqi vëmendjen për faktin se nuk janë marrë masa për të siguruar që besimtarët të arrijnë në xhami dhe të parandalohen nga provokimi, veçanërisht gjatë muajit të shenjtë musliman të Ramazanit.

Gjithashtu ai theksoi nevojën e intensifikimit të përpjekjeve ndërkombëtare për parandalimin e rritjes së tensioneve në Kuds.

Të dielën, mbreti jordanez i bëri thirrje Izraelit që të respektojë statusin historik dhe ligjor të Xhamisë Al-Aksa dhe t’i japë fund veprimeve të paligjshme dhe provokuese.

Gjithashtu të hënën, Jordania thirri ambasadorin izraelit në Ministrinë e Jashtme si përgjigje ndaj bastisjeve dhe shkeljeve në Xhaminë Al-Aksa.

Tensionet janë rritur në të gjithë territoret palestineze që kur forcat izraelite bastisën oborrin e Xhamisë Al-Aksa të premten mes përleshjeve me besimtarët, duke plagosur qindra persona.

Të dielën, më shumë se 700 kolonë izraelitë hynë me forcë në kompleksin e xhamisë nën mbrojtje të fortë policore për të festuar festën njëjavore të Pashkëve hebreje, e cila filloi të premten.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se aty ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Më pas aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, lëvizje kjo që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re