Emisioni investigativ “Tak Fak” në News24, ka sjellë në vëmendje gjendjen alarmante të aksit rrugor Korçë–Ersekë, një investim me vlerë miliona euro që, sipas ekspertëve, përmban probleme serioze strukturore dhe rrezik potencial për përdoruesit.
Gazetarja Anxhela Gjiriti, gjatë një inspektimi në terren, ka konstatuar plasaritje të shumta përgjatë gjithë trasesë, ndërsa në disa zona janë dëgjuar edhe kërcitje të strukturave mbajtëse.
I pyetur nga “Tak Fak”, inxhinieri Romeo Nazarko, ka ngritur akuza mbi cilësinë e punimeve dhe mungesën e standardeve teknike.
Sipas Nazarkos, ky aks rrugor ka një rëndësi të veçantë historike, pasi ndjek trasenë e rrugës antike “Egnatia”, që ka lidhur për shekuj Janinën me Korçën.
Megjithatë, ai thekson se gjurma e rrugës është ndryshuar për arsye ekonomike, duke trefishuar koston nga 1 milion euro për kilometër në 5 milion euro për kilometër, ndërkohë që vlera e shtuar nuk reflektohet në cilësinë reale të ndërtimit.
“Muret mbajtës janë thjesht dekorativë, nuk kanë armatim të brendshëm dhe cilësia e betonit është shumë e ulët. Ky fakt u provua nga shembja e një pjese që më pas u riparua, por pa garanci për qëndrueshmëri afatgjatë,” u shpreh inxhinieri