Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale kundër mjedisit, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “Metalurgjiku”.
Të arrestuarit janë Juncheol Chung shtetas korean, Prakash Kadel – shtetas nepalez, Rahul Pal , Styend Pal, Munna Singh ,Rajesh Yadav , Aaditiya Raj, Rahul Pal , Dheeraj Kumar, shtetas indianë.
Ndërsa shqiptarët e arrestuar janë: Jakup Karaj, Ismail Dybeli ,Dorjan Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdiaj, Elton Beqi, Eglis Flaga.
Nga hetimet intensive, si dhe inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka rezultuar se dy subjekte tregtare, të cilat ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, kanë shkelur legjislacionin mjedisor, duke ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, si dhe duke mos respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive.
Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara lidhur me menaxhimin e integruar të mbetjeve, gjatë inspektimeve u vendosën masat administrative si më poshtë:
3.000.000 lekë për një nga subjektet dhe 10.000.000 lekë për subjektin tjetër, si dhe u pezulluan aktivitetet e të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
U sekuestruan celularë dhe DVR.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
