Tre efektivë janë pezulluar nga detyra pasi një i arrestuar u arratis nga ambientet e policisë në Komisariatin e Elbasanit.
Arratisja e të ndaluarit nga policia, shtetasit Bardhyl Zagolli, raportohet se ka ndodhur më 3 Qershor.
Sipas AMP, “këta punonjës policie, me anë të mosveprimit dhe në shkelje të dispozitave të parashikuara në aktet ligjore e nënligjore që normojnë punën në Policinë e Shtetit, nuk kanë marrë masat e nevojshme për trajtimin dhe sigurimin e personave të ndaluar/shoqëruar në ambientet e policisë, duke sjellë si pasojë arratisjen e shtetasit B. Z., i cili ishte arrestuar në flagrancë, si person i dyshuar për një vepër penale.”
Tre efektivët e dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” të pezulluar nga detyra janë:
1- Nënkomisar Alfred Feridum Zhupani, 35 vjeç, me detyrë Specialist për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan;
2- Inspektor Përparim Xhaferr Ballolli, 54 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist Informacioni, në Komisariatin e Policisë Elbasan;
3- Inspektor Jonuz Rifat Gjika, 60 vjeç, me detyrë Ndihmës specialist për ruajtjen e dhomave të sigurisë, në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Njoftimi i policisë:
AMP pezullon 3 punonjës policie në Elbasan
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka zbatuar urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë të karakterit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre punonjësve të policisë në Komisariatin e Policisë Elbasan, të dyshuar për “Shpërdorim i detyrës”, e konkretisht;
– Nënkomisar A. ZH., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan;
– Inspektor P. B., 54 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist Informacioni, në Komisariatin e Policisë Elbasan;
– Inspektor J. GJ., 60 vjeç, me detyrë Ndihmës specialist për ruajtjen e dhomave të sigurisë, në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Caktimi i masave të sigurisë për punonjësit e policisë të sipërcituar është bërë i mundur, pasi nga hetimet e zhvilluara lidhur me ngjarjen e datës 03.06.2025, janë administruar prova dhe fakte se këta punonjës policie, me anë të mosveprimit dhe në shkelje të dispozitave të parashikuara në aktet ligjore e nënligjore që normojnë punën në Policinë e Shtetit, nuk kanë marrë masat e nevojshme për trajtimin dhe sigurimin e personave të ndaluar/shoqëruar në ambientet e policisë, duke sjellë si pasojë arratisjen e shtetasit B. Z., i cili ishte arrestuar në flagrancë, si person i dyshuar për një vepër penale.