Dy zyrtarë të burgjeve janë vënë në pranga me urdhër të SPAK. Të arrestuarit, Agron Balla dhe Klodian Gjeci akuzohen për përfshirje në korrupsion, pasi dyshohet se kanë marrë para për të punësuar një person në institucionet në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

“Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë proçedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brëndshëm në Sistemin e Burgjeve, janë krijuar dyshime se shtetasit K.Gj dhe A.B, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime materiale të padrejta, në formën e shumave monetare, me qëllim për të ushtruar ndikim të paligjshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Shumat monetare janë kërkuar dhe janë marrë me qëllim për të bërë të mundur punësimin e një shtetasi në strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, thuhet në njoftim.

 

Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re