Ditën e sotme policia e Tiranës ka arrestuar 2 persona dhe 3 të tjerë janë proceduar penalisht pasi dhunuan një mjeke si dhe thyen dyert e dritaret e spitalit.

Pas ngjarjes policia ka organizuar menjëherë punën për kapjen e autorëve.

Bëhet fjalë për shtetasit e arrestuar Igli Spahija, 41 vjeç dhe Bledar Bali, 54 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit me K. S., 50 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. Xh., 47 vjeç dhe A. M., 55 vjeç.

Këta persona dhunuan mjeken dhe dëmtuan dyert e dritaret me pretendimin se ky spital kishte neglizhuar ndihmën mjekësore për të afërmen e tyre.

Njoftim policie:

Tiranë

Goditën për shkak të detyrës një mjeke, dëmtuan dyert dhe dritaret e spitalit ku ajo punonte, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë.

Të arrestuarit nuk iu bindën urdhrave të punonjësve të Policisë, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes, për të kryer veprimet procedurale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se disa shtetas kishin goditur për shkak të detyrës një mjeke dhe kishin dëmtuar ambientet e spitalit ku ajo punonte, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta nga shërbimet e Policisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit I. S., 41 vjeç dhe B. B., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: K. S., 50 vjeç (me precedent të mëparshëm penal), E. Xh., 47 vjeç dhe A. M., 55 vjeç.

Këta shtetas, rreth orës 02:00 të ditës së sotme, në ambientet e një spitali shtetëror, kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, një mjeke të këtij spitali, me pretendimin për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre, që mjekohej në këtë spital, si dhe kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e këtij institucioni.

Gjithashtu, këta shtetas nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë që shkuan në vendin e ngjarjes, menjëherë pas marrjes së njoftimit për këtë rast.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Goditje për shkak detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re