Janë zbardhur emrat e katër punonjësve të policisë Shkodër, të cilët janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohen se nuk ndaluan personin e tretë që ndodhej në makinë me dy viktimat e atentatit në Dobraç pasditen e 30 tetorit, ku humbën jetën katër persona, mes tyre dy qytetarë të pafajshëm.
Burime bëjnë me dije se në pranga kanë rënë efektivët: Marta Martini, Blerim Kurmetaj, Viktor Logu dhe Juljan Sterkaj, nën akuzën për shpërdorim detyre. Mësohet se arrestimi i tyre është bërë orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa ende pritet njoftimi zyrtar i AMP.
Kujtojmë se pak ditë më parë AMP ka kallëzuar në Prokurori efektivët nën akuzën se shpërdoruan detyrën, pasi sipas AMP, nuk ndaluan personin e tretë që ndodhej në makinë me dy viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Mësohet se në makinë me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin ka qenë edhe një person i tretë, identiteti i të cilit mbetet mister.
Siç duket edhe nga foto ai është filmuar nga kamera amatore, i veshur me bluzë, xhaketë dhe pantallona të zeza.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë janë shoqëruar dhjetëra persona por ende policia e Shkodrës nuk ka arritur të identifikojë autorët e kësaj ngjarje të rëndë e cila tronditi opinionin publik.